E Diel, 1 Nëntor 2026

Trotuar

Edmond Tupja 

Përderisa gjuha shqipe ia ka huazuar gjuhës frënge, qysh në krye të herës, fjalën “trotuar” (trottoir), më vjen krejt vetvetiu të hamendësoj se dukuria ose gjëja “trotuar” nuk mund të shfaqej natyrshëm në mendjen dhe gojën e të parëve të mi iliro-shqiptarë, sepse vetë karakteri i theksuar malor i vendlindjes e i vendjetesës së tyre nuk ua pati, me gjasë, diktuar një nevojë të tillë. Ndoshta kjo shpjegon përse, edhe sot e kësaj dite, trotuari tek ne, në Shqipëri, nuk ka tamam të njëjtin funksion si në disa vende të tjera të Europës apo edhe më gjerë. Si kështu? – mund të pyesë, njëherazi i intriguar e paksa i prekur në sedër, lexuesi i vëmendshëm dhe i ndjeshëm i rubrikës sime të së dielës. Për ta sqaruar, po shtjelloj arsyetimin e mëposhtëm:
Fjalori frëng Petit Robert 1 na mëson (përkthimi në shqipe është i imi) se trotuari është një “vendkalim më i ngritur (në të dy anët e një rruge) që u rezervohet këmbësorëve”, ndërsa Fjalori i gjuhës shqipe përcakton se trotuari është këmbësore, pra, një “rrugë për këmbësorë”. Ndonëse këto dy përkufizime janë të ngjashme – veç jo identike – me njëra-tjetrën, realiteti i sotëm shqiptar na dëshmon më së miri se trotuaret tona nuk janë thjesht vendkalime për këmbësorë: syri na sheh rëndom njerëz që qëndrojnë në mes të trotuareve e që bëjnë muhabet për shtatë palë qejfe, të tjerë që kalojnë atje me biçikleta (si puna ime) ose me motoçikleta, të tjerë akoma që parkojnë aty makinat e tyre; të tjerë që, ulur në stola të vegjël, luajnë domino ose shah; të tjerë që, ndenjur në karrige kafenesh, pinë diçka duke soditur kalimtarët apo makinat në rrugë; të gjithë këta flasin e flasin, bisedojnë, kuvendojnë... Ah, po, tamam, kuvendojnë, dhe kjo fjalë e ka zanafillën te fjala “kuvend”, e cila befas më kujton parlamentin tonë të ardhshëm me 70 për qind baballarë e 30 për qind nëna të kombit. Edhe diçka tjetër, ndërsa në Francë e në mjaft vende të tjera si ajo, njerëzit ecin relativisht shpejt trotuareve, tek ne ata ecin me nge, ndonëse në frëngjishte fjala “trottoir” vjen nga fjala “trot” d.m.th. “trokth”, çka do të thotë një e ecur midis hapit dhe vrapit. Megjithatë – madje çuditërisht –  trotuari shqiptar dhe ai francez ngjasojnë shumë në një pikë: si në Francë ashtu edhe në Shqipëri, buzë trotuareve, në kryqëzime rrugësh, ka semaforë. Pikëtakimin e trotuarit shqiptar me atë francez e ilustrojnë dy shprehje të barasvlershme nga këndvështrimi kuptimor: ajo shqipe “të shkosh te semafori” që do të thotë “të prostituohesh”, dhe ajo frënge “faire le trottoir” (fjalë për fjalë “të bësh trotuarin”) që do të thotë gjithashtu “të prostituohesh”.
Këtu, papritmas, lind nevoja për më shumë seriozitet në shtjellimin e analizës. Kush, sipas jush, na u prostituoka nëpër trotuaret tona kombëtare? – mund të pyesë me të drejtë lexuesi im i vëmendshëm dhe me sedër të ndjeshme. Sigurisht, jo të gjithë, por as fare pak, le të themi ata që nuk duan të merren me veten e tyre, por me të tjerët. Natyrisht, përjashtoj nga kjo kategori ato që ushtrojnë zanatin më të vjetër të botës, duke privilegjuar kështu vetëm ata që ushtrojnë zanatin më të ri në Shqipëri, atë të komentatorit politik. Po, vetëm ata që kuvendojnë trotuareve – dhe nuk janë të paktë – duke harruar që trotuaret janë bërë për këmbësorët, për kalimtarët që nuk kanë makina, që duan të ecin shpejt për të zgjidhur problemet që u përplas fytyrës jeta e përditshme, qoftë edhe duke shëtitur qenin e tyre që mezi pret të lehtësohet rrëzë ndonjë peme, shtylle apo semafori. Kjo është e vërteta e hidhur e trotuareve tona: atje gëlojnë kuvendarët pa Kuvend me inflacionin e pareshtur të fjalëve të tyre. Dhe meqenëse sapo përmenda kuvendarët pa Kuvend, një shoqërim idesh më shpie tek ata që së shpejti do të bëhen me Kuvend, pra, te kandidatët për deputetë që jetojnë sot me ethet e fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit. A kalojnë ata ndonjëherë trotuareve? Nëse po, ç’ndjesi u ngjall prania e semaforëve? A u kujton ajo ndonjë përkufizim popullor shqiptar të politikës?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›