Kuzhe në gjithë fushën: Ja si do jetë Shqipëria ime
Jetmir Halilaj
Josip Kuzhe i ka idetë e qarta. Ai pohon se tre ndeshjet e radhës eliminatore do të jetë një mundësi për të njohur skuadrën, por lë të kuptohet se edicionin e ardhshëm ekipi kuqezi do të ketë një fytyrë krejtësisht të re. Disa nga garda e vjetër nuk do të jenë më pjesë e Kombëtares, ndërkohë që trajneri i përfaqësueses premton edhe zgjidhje imediate të problemit të sulmit, që nuk shënon prej pesë ndeshjesh. Në konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i Shqipërisë, Kuzhe shpjegoi ambiciet dhe synimet e tij në krye të stolit kuqezi.
Keni parë lojtarët në dy seanca stërvitore. A keni krijuar një përshtypje të parë, edhe pse ju mungojnë edhe dhjetë futbollistë nga lista juaj?
Që në ditët e para e mia kam mbledhur informacion të mjaftueshëm. Pashë disa DVD-i, fola ndërkohë me zotin Bariç, por edhe me shumë njerëz që kanë eksperiencat e tyre me futbollin shqiptar. Por, sigurisht unë u besoj përshtypjeve të mia në fushën e lojës. Gjithsesi, përshtypja ime është ajo që dhe kisha konstatuar më parë se kam në dispozicion lojtarë shumë të mirë nga ana teknike.
A mjafton vetëm teknika e tyre për të thënë se gjërat janë në rrugën e duhur?
Natyrisht që jo. Unë do të kem mundësinë për t’i parë ata në luftojnë në ndeshje të vërteta, kur ata do të përballen për të fituar apo për të marrë një rezultat tjetër. Më duhet të pranoj se kemi disa lojtarë që luajnë futboll të bukur e në kampionate të nivelit të lartë ndërkombëtar. Dhe kjo është e rëndësishme për të krijuar të njëjtën atmosferë kompeticioni edhe në grupin e lojtarëve të Kombëtares. Unë besoj se me aftësitë teknike dhe me mëndjen time, ne mund të bëjmë një lojë të shkëlqyer nga ana taktike, e në të njëjtën kohë argëtuese. Nga eksperienca ime dhe nga ajo që unë kam parë në këto ditë, unë kam bindjen e plotë, se Shqipëria mund të jetë seriozisht një ekip shumë i mirë.
Gjithë këto elozhe, mos ndoshta po kërkoni të karikoni skuadrën para Portugalisë?
Nuk dëshiroj ta them këtë vetëm për ndeshjen kundër Portugalisë, por dhe atë kundër Danimarkës apo Suedisë, por dhe për të përgatitur skuadrën për ndeshjet e ardhshme kualifikuese.
Nëse do të më pyesnit për përshtypjen bazë, të cilat janë shumë të rëndësishme për një trajner në fillimin e punës së tij, do të thosha se futbolli shqiptar ka potencial dhe këtë e them me bindje të plotë.
Ku do të jetë fokusuar puna juaj?
Projekti ynë afatgjatë është rritja e paraqitjes sonë në një nivel më të lartë ndërkombëtar, dhe natyrisht që objektiv imediat është të bëjmë paraqitje të suksesshme në tri ndeshjet e fundit eliminatore dhe të krijojmë atmosferën e duhur. Do të përpiqemi të bëjmë përgatitjet e duhura për ndeshjen e ardhshme kualifikuese. Bëra përzgjedhjen e 27–të lojtarëve, ku u përpoqa të mblidhja sa më shumë informacione. Pashë disa ndeshje në fushë, disa DVD-i, dhe me ndihmën e disa ekspertëve të federatës unë hartova emrat e kandidatëve për ndeshjen zyrtare kundër Portugalisë dhe miqësores me Gjeorgjinë.
Nga informacionet fillestare që keni, çfarë do të donit t’i ndryshonit ekipit shqiptar, ose lojtarëve që keni në dispozicion?
Do të përpiqemi që të përmirësojmë edhe anën individuale të lojtarëve. E di se është një kohë shumë e shkurtër, vetëm shtatë ditë, por sipas eksperiencës sime, unë besoj se me aftësitë e mia ne mund t’i japim një fytyrë skuadrës, lojës sonë dhe taktikës si individuale ashtu dhe atë ekipore. Pashë dje (të premten) dhe sot (të shtunën), lojtarë me eksperiencë dhe me dëshirë t’u stërvitur, për të ndërtuar një skuadër me shpirt fitues për të dhënë më të mirën e tyre në një ndeshje shumë të vështirë si ajo kundër Portugalisë.
Portugalia do të jetë mundësia juaj e parë për të testuar ekipin?
Jo, mendoj se një test do të jetë miqësorja me skuadrën Kombëtare U-17, ditën e martë. Në këtë ndeshje do të përpiqem të mbledh e të gjykoj mbi të gjitha përshtypjet e mia mbi lojtarët që kam në dispozicion. Pas seancave të tjera stërvitore, të ditës së mërkurë e të enjte, besoj se do të kem krijuar edhe një ide reale mbi një “ekip në letër” me futbollistët që do të jenë të gatshëm për ndeshjen kundër Portugalisë, për t’u shpjeguar dhe motivuar për këtë takim. Kam një parandjenjë të mirë për ndeshjen me Portugalinë.
Ndeshja e parë kundër Portugalisë përfundoi në barazim 0-0. Mendoni se do të ishte një sukses për ju nëse edhe kjo sfidë do të përfundonte sërish në barazim?
Sigurisht që po. Mendoj se në këtë situatë, barazimi do të ishte një sukses për futbollin shqiptar.
Shqipëria e shtatë ndeshjeve të para eliminatore treguar se ka probleme në sulm, pasi ka realizuar vetëm tre gola, dhe ato kundër Maltës. A do të arrijë skuadra e drejtuar nga ju që të shënojë golin e shumëpritur kundër Portugalisë?
Shpresoj shumë që të ndodhë kështu. Kur fola me drejtuesit e federatës, u pata thënë se kam njohuritë e mjaftueshme që të organizoj një ndeshje në mënyrë speciale. Mendoj se pika ime më e fortë është taktika. Për më tepër, nuk jam trajner i ri. Trajnerët e rinj më shumë mendojnë për mbrojtjen, pasi taktika e mbrojtjes është shumë e thjeshtë, kurse ajo sulmuese është realisht më e vështirë. Mund ta përmirësoj ekipin në organizmin e lojës në sulm, dhe kam bindjen se pas disa ndeshjesh ne do të jemi shumë të suksesshëm edhe në shënimin e golave.
Pse jeni kaq i bindur?
Sepse shumë trajnerë e shohin anën ofensive të lojës, të ndërtuar mbi një lojtar të lirë, duke shpresuar se do të jenë të rrezikshëm në sulm, duke u bazuar në shpejtësinë e befasinë e këtij tipi lojtari. Unë jam ndryshe. Jam një trajner që më pëlqen shumë loja kombinateve, dhe kjo mënyrë të luajturi nuk bazohet mbi lojën e lirë, por mbi organizimin. Kjo varet nga trajneri, dhe është ai që duhet t’ua përcjellë lojtarëve. Gjithmonë shtrohet një pyetje, se kush është një trajner i mirë? Dhe përgjigja është një trajner që njeh taktikën dhe lojën kombinateve, por ky është një proces. Nuk është thjesht të thuash se do të luaj dhe do të fitoj, pasi suksesi vjen si rezultat i këtij procesi. Jam i bindur se jam i zoti t’ua japë atë futbollistëve.
Josip Kuzhe: Do ti surprizojmë portugezët
Trajneri i kombëtares beson se kuqezinjtë mund të marrin pikë ndaj Portugalisë. “Kam mjaftueshëm informacione nga ata. Gjithsesi, për të qenë i sinqertë, duke parë lojtarët cilësorë që kundërshtarët kanë në grup, nuk do ta konsideroja ekipin tonë të avantazhuar. Do të më pëlqente më shumë të luaja në kushte normale kundër Portugalisë, që dhe ata të kishin edhe një mundësi për të humbur. Normalisht, që ne do të jemi shumë të motivuar, ashtu siç mund të jenë ata dy herë më shumë të motivuar se ne. Gjithsesi, ne luajmë në shtëpinë tonë dhe do të përpiqemi të bllokojmë lojën e tyre sulmuese. Mendoj se Portugalia do të luajë kundër nesh nga minuta e parë dhe deri te e fundit në sulm, me shumë përqendrim, energji dhe motiv për të marrë rezultat të mirë”.
Kuzhe: Këtë verë tur për talentë shqiptarë
Do të jetojë në Shqipëri dhe një gjë e tillë do ta ndihmojë të jetë më pranë futbollit shqiptar. Madje Kuzhe pohon se do të marrë një tur gjatë kësaj vere, për të zbuluar talentë të rinj për Kombëtaren. “Ne e kemi aktualisht ekipin, por disa lojtarë janë të vjetër në moshë. Nuk them se do të ndërtoj një ekip tërësisht të ri, sepse 60-70 për qind të skuadrës ne e kemi edhe për disa vite të tjera. Duhet të pranojmë se kemi disa lojtarë, që nuk mund të jenë pjesë e grupit për kualifikueset e Kampionatit Evropian, pasi tani janë ndoshta 32-33 vjeç dhe atëherë do të jenë 34 apo 35 vjeç. Gjatë verës duhet të kemi mundësinë të krijojmë imazhin e ri të ekipit, të gjejmë lojtarë të rinj brenda dhe jashtë vendit”.