"Dekani" arreston një "polic"

Me dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe prezantimit të rremë, Policia e Kosovës ka arrestuar mashtruesin që u prezantua si zyrtar policor në operacionin e koduar “Dekani”
Policia e Kosovës përmes rrugëve operativa kishte pranuar informata se i dyshuari Zenel Sh. (1982) ka kryer veprën penale të mashtrimit dhe prezantimit të rremë.
Drejtoria Rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK) – njësia në Pejë kishte pranuar informacione se i dyshuari është duke qëndruar në një hotel në Pejë.
Hetuesit kanë kontaktuar me personelin e hotelit dhe nga aty kanë kuptuar se i dyshuari është prezantuar si hetues i Njësitit për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit dhe se ishte caktuar që të hetonte dosjet të studentëve të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit (FSHAB)– dega e UP-së në Pejë.
Dyshohet se shuma që i dyshuari ka arritur të përfitoj në mënyrë të kundërligjshme deri tani arrin vlerën rreth 6000 Euro dhe 7220 franga zvicerane.
I dyshuari Zenel Sh. kishte pranuar të holla nga persona të ndryshëm për t’ju kryer shërbime dhe nga ata kishte kërkuar që faturat e shpenzimeve të tij të vihen në emër të FSHAB-së.
Hetuesit e DHKEK-së – njësia në Pejë, janë informuar se i dyshuari është vërejtur në orët e hershme të mëngjesit të datës së sotme duke u kthyer në hotel.
Policia e Kosovës ka ndërmarr sot (08.04.2011) një operacion të koduar me emrin “Dekani” ku gjatë këtij operacioni është lokalizuar dhe arrestuar i dyshuari, nga i cili janë konfiskuar edhe disa indekse të FSHAB-së dhe një armë.
Në konsultim me prokurorin, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.