E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA do të vazhdojë ndihmën për të gjithë

Nga Express më 08 prill 2011 në ora 19:51

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një komunikate për media, ka sqaruar se misioni i USAID-it në Kosovë ka për qëllim që t’iu ndihmojë bizneseve që të krijojnë vende të reja dhe të përmirësojë jetën e njerëzve, përfshirë edhe të atyre në veri.

Kumtesa për media e Ambasadës amerikane vjen pasi që një grup i serbëve të Kosovës kanë pamundësuar të premten takimin në mes të përfaqësuesve të Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID) dhe kompanive të ndryshme ndërtimore në veri.

Edhe pse takimi ishte planifikuar të mbahej në ora 10:00 në hotelin numër 3 në Zveçan, takimi nuk është mbajtur, sepse qytetarët e tubuar serbë kanë bllokuar një pjesë të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, duke penguar në këtë mënyrë ardhjen e përfaqësuesve të USAID-it.

“Fatkeqësisht, sot, njerëzit të cilët pretendojnë se i kanë në zemër interesat e popullatës i kanë pamundësuar qytetarët e Kosovës veriore të shfrytëzojnë mundësinë për të përfituar kontrata, të krijojnë vende të punës dhe të mundësojnë rritjen e bizneseve të vogla”, thuhet në komunikatën e Ambasadës amerikane.

USAID ka punuar nëpër të gjitha regjionet e Kosovës gjatë 11 viteve të kaluara dhe ka shtuar në masë të rëndësishme asistencën për veriun gjatë vitit të kaluar. Projektet e USAID-it përfshijnë mbrojtjen e lumenjve, riparimin e rrugëve, rehabilitimin e shkollave dhe ndërtimin e parqeve të lojërave për fëmijët dhe fushave sportive për rininë.

Por, kryetari ilegal i veriut të Mitrovicës, Krstimir Pantiq, ka përsëritur se përfaqësuesit komunal që nga data 29 mars kanë marrë vendim që USAID-i nuk mund të punojë në veri, derisa nuk pranon qëndrimin se në veri funksionojnë institucionet legale dhe legjitime të cilat përkrahen nga shumica e popullatës në veri.

Pavarësisht këtyre deklarimeve, USAID-i dhe Qeveria e SHBA-ve mbesin të angazhuara dhe do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmën e popullit amerikan për të gjithë në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›