Kurti i kërkon Tahirit që të tërhiqet nga bisedimet

Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti, duke i vlerësuar të dëmshme bisedimet me Serbinë, i ka kërkuar zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri që të tërhiqet nga këto bisedime. Këtë kërkesë Kurti e ka bërë të premten në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ku ka raportuar kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin.
Tahiri ka raportuar lidhur me gjithë procesin e bisedimeve me Serbinë, duke u shprehur e gatshme që këtë ta bëjë sa herë ta shohë të nevojshme Komisioni ose Kuvendi i Republikës së Kosovë. Ajo i ka sqaruar anëtarët e Komisionit se obligimi ndërkombëtar për këto bisedime ka dalë nga Rezoluta e KS të OKB-së, të datës 10 shtator 2010, që flet për dialog në të mirë të qytetarëve të të dy palëve.
Tahiri është shprehur se bisedimet zhvillohen sipas Platformës së Qeverisë së Kosovës për dialogun ndërshtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
“Qeveria është kompetente për ushtrimin e sovranitetit të vendit, prandaj ajo edhe e ka autorizuar kryesuesen e bisedimeve nga pala kosovare”, është shprehur Tahiri, njofton Zëri.
Ajo ka pohuar se i di mirë parimet e panegociueshme të këtyre bisedimeve, përkatësisht se i ka të qarta vijat e kuqe të interesit kombëtar, të cilat nuk do të shkilen: rregullimi i brendshëm, sovraniteti dhe integriteti i vendit.