E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSK e gatshme të ndihmojë kudo në Kosovë

Nga Express më 08 prill 2011 në ora 19:07

Forca e Sigurisë së Kosovës, Komuna e Ferizajt dhe KFOR-i kanë nisur zyrtarisht realizimin e projektit të përbashkët humanitar për ndërtimin e një rruge malore me gjatësi prej 7.5 kilometra, në fshatin Burrnik- Stanet e Gremes, e cila do t’iu lehtësojë jetën banorëve të kësaj ane.

Ministri i FSK-së Agim Çeku, ka përgëzuar pjesëtarët e FSK-së për punën që janë duke bërë, ndërsa shprehu besimin se përfundimi i ndërtimit të rrugës do të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që banorët e kësaj ane malore ta kenë jetën sa më të lehtë, duke ua mundësuar qarkullimin dhe lëvizjet drejt pronave të tyre.

“Besoj se kjo vepër nuk do të jetë as e para dhe as e fundit për njësitet e FSK-së, po ne do të jemi të gatshëm të veprojmë kudo në Kosovë, atje ku ka më së shumti nevojë, për ndihmën tonë. Besoj se me këtë projekt do të jemi përfitues të gjithë, por më së shumti do të përfitojnë komuna dhe banorët e kësaj ane, të cilët do të kenë mundësi më të mëdha të investojnë në turizëm, të punojnë dhe t’i shfrytëzojnë tokat dhe kullosat e tyre”, ka thënë ai.

Pjestarët e FSK-së, i përshëndetën zv. komandanti i KFOR-it, gjenerali Marko Seronha dhe nënkryetari komunës së Ferizajt, Besim Zymberi.

Me fjalë miradije për këtë projekt u shprehen edhe banorët e kësaj ane, të cilët shprehen falënderime për FSK-në dhe Komunën e Ferizajt, të cilët po kontribuojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të lëvizjes në tokat dhe kullosat e tyre.

Gjatë realizimit të këtij projekti do të certifikohen edhe 13 pjesëtarë të FSK-së, si manipulues të makinave dhe mjeteve inxhenierike të rënda. Certifikimin e tyre do ta bëjnë instruktor të KFOR-it dhe ata të Ministrisë së Infrastrukturës. Ky projekt pritet të përfundojë për tre muaj, sipas afateve të parapara.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›