Deklarata, ILDKP: Lulzim Basha bëri deklarim të rregullt për shitjen e apartamentit në Holandë
Opozita shpifi në mënyrë të turpshme edhe për pasaportën e kandidatit të mazhorancës për kryebashkiak të Tiranës
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në një njoftim për median, në përmbushje të transparencës maksimale, bën me dije se Lulzim Basha ka bërë një deklarim të saktë të pasurisë për periudhën para fillimit të detyrës lidhur me apartamentin e blerë në Utreht të Holandës me shumën 510.000 guloden holandez. Në njoftim thuhet se ILDKP është vënë në dijeni për të dhënat e publikuara gjatë ditëve të fundit në gazetën “Shekulli”, lidhur me aktet noteriale të shit-blerjes së një apartamenti në Holandë nga ish-Ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti, Lulzim Basha. ILDKP sqaron për opinionin publik se nga shqyrtimi i materialeve që janë administruar nga ILDKP për vetë deklarimet e Bashës, rezulton se, “Në deklaratën ‘Para fillimit të detyrës’, të dorëzuar në ILDKP më 04. 10. 2005, subjekti ka deklaruar, ndër të tjera, apartament në Utrecht, Holandë, në vlerën 510.000 gulden holandez (GNL). Më datë 25. 10. 2005, Inspektorati i Lartë ka nisur procedurën e kontrollit të plotë për zyrtarin Lulzim Basha. Për të realizuar një hetim sa më të detajuar mbi interesat private të subjektit, një grup kontrolli kreu verifikime në Utrecht të Holandës, ku është marrë informacion në Zyrën Kadastrale të këtij qyteti, si edhe pranë bankave ‘PostBank Amsterdam’ dhe ‘ABN-ARMO’ Utrecht Hollandë. Nga kontrata e shit-blerjes, e cila është administruar në ILDKP, rezulton se apartamenti është blerë në shumën 480.690 gulden, ku bën pjese dhe një depozite garancie për kredinë e marrë. Kjo e dhënë është sqaruar nga subjekti në proces-verbalin e mbajtur në ILDKP më 30 shtator te 2006-ës. Gjithashtu, nga të dhënat rezulton se burimi i blerjes së këtij apartamenti është një kredi e marrë në ‘PostBank’, në shumën 204.000 euro, e konvertuar me kursin e kohës rreth 480.000 GNL”, thuhet në deklaratën e ILDKP-së. ILDKP sqaron diferencën e mbetur për të arritur tek shifra e plotë e deklarimit të apartamentit 510 mijë gulden e cila është një shumë 10.407 euro e deklaruar nga subjekti si rentë për kredinë e apartamentit. Si përfundim ILDK konfirmon se në raportin e kontrollit të plotë mbi deklarimin “para fillimit të detyrës”, të zotit Basha të përfunduar më 04 dhjetor 2006, rezulton se vlera e blerjes së apartamentit është e saktë, e njëjta vlerë e deklaruar nga subjekti, gjithsej 510.000 GNL.
...