E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata, Minxolli: “Fabrika në Gërdec u inspektua nga të gjithë ushtarakët dhe askush nuk u ankua”

Laureta Rryçi

Drejtori i Fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, e cila shpërtheu më 15 mars 2008, dëshmoi dje në seancë gjyqësore se Ministria e Mbrojtjes kishte dhënë urdhër për fillimin e punimeve për ndërtimin e fabrikës. Sipas Minxollit, para se të nisnin ndërtimit, ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura kishin vizituar ambientin ku do të ndërtohej fabrika dhe për asnjë moment nuk kishin ngritur ndonjë problem. Në seancën e djeshme, Dritan Minxolli dëshmoi se punimet për ngritjen e fabrikës kishin nisur më 29 maj të 2007-s nga SAC- Albademil dhe se vetë ish-gjenerali Shpëtim Spahiu kishte dhënë urdhër për ngritjen e fabrikës. Minxolli vazhdoi në dëshminë e tij se shefi i Shtabit të Përgjithshëm i asaj periudhe, Luan Hoxha, kishte qenë në dijeni të aktivitetit të demontimit të municioneve në Gërdec dhe në qershor të po atij viti kishte inspektuar punimet e fabrikës.
Deklarata
Të nderuar anëtarë të trupit gjykues, dëshiroj me përgjegjësi të plotë ta bëj këtë deklaratë për të sjellë para jush dhe mediave të pranishme në sallë disa fakte, të cilat provojnë një të vërtetë që u provua të shtrembërohej nga dëshmitari Beqir Prini. Ky dëshmitar, nëpërmjet deklaratës së tij para trupit gjykues, ka lënë të kuptohet se punimet për ngritjen e Fabrikës së demontimit të municioneve në repartin ushtarak të Gërdecit kanë filluar në muajin shkurt të vitit 2007; kohë kur dhe Beqir Prini pretendon se është marrë në punë prej nesh. Deklaroj se kjo është një gënjeshtër e madhe, e cila ka shkaktuar zhurmë mediatike duke inskenuar skenarë të paqenë dhe duke hedhur baltë mbi kompaninë “SAC-Albademil”, fabrikë që në atë kohë drejtohej prej meje.
Sqaroj si më poshtë: Përfaqësues të kompanisë “SAC-Albademil” janë paraqitur para dyerve të repartit ushtarak në Gërdec për herë të parë më datë 28.04.2007, bazuar dhe referuar vetëm në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes të datës 25.04.2007, me numër 550, i cili në pikën numër 4 të tij saktëson qartësisht si më poshtë: “Procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të bëhet në ambientet e reparteve të forcave të armatosura, në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie. Për këtë qëllim, Komanda e Forcave të Bashkuara ngarkohet të vërë në dispozicion të këtij procesi një sipërfaqe–terren në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec-Vorë”.
Hera e parë që përfaqësuesit e kompanisë “SAC-Albademil” janë paraqitur në këtë repart ka qenë tri ditë pas këtij urdhri. Ky fakt provohet edhe nga dëshmia e dhënë nga nënoficeri i FA-së, Paulin Lleshi, para oficerëve të Policisë Gjyqësore më datë 16 korrik të vitit 2008. Ky fakt është shënuar nga Paulin Lleshi, i cili kishte si detyrë ruajtjen e ambienteve të repartit ushtarak. Sjell në vëmendjen e gjykatës dhe të medias se sipas deklarimeve të bëra nga disa oficerë të Forcave të Armatosura, para oficerëve të Policisë Gjyqësore, punimet për ngritjen e fabrikës së demontimit kanë filluar në maj të vitit 2007. Këta oficerë ishin Paulin Lleshi, Dalip Kau, Agron Branko, Bashkim Allushi dhe Zylyftar Hatellari. Gjithmonë sipas deklaratave të bëra për llogari të organit të akuzës rezulton se në datën 28.04.2007, komandant nënkolonel Asim Selmani, pasi ka kontaktuar në telefon me eprorin e tij, gjeneral brigade Astrit Jaupin, merr urdhër nga ky i fundit që kompania të lejohet të fillojë kryerjen e punimeve brenda repartit ushtarak në Gërdec. Po kështu, gjeneral brigade Astrit Jaupi, pasi komunikon, vë në dijeni komandantin e KFB-së, gjeneral brigade Shpëtim Spahiun, për situatën e krijuar më 28.04.2007, ditë kur janë paraqitur për herë të parë punonjësit e kompanisë “SAC-Albademil” në derën e repartit. Sipas deklarimeve të nënoficerit të FA-së, Bashkim Allushi, gjenerali Shpëtim Spahiu ka vizituar në maj të vitit 2007 vendin ku po ngrihej fabrika brenda repartit ushtarak dhe nuk ka ngritur asnjë problem. Në të njëjtën linjë është dhe nënoficeri Nazmi Shera, kur në deklarimet e tij thotë se në momentin e instalimit të makinerive të demontimit të fabrikës, reparti është vizituar edhe nga ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha. Kjo vizitë është kryer në qershor të vitit 2007 dhe sërish ky ushtarak i lartë nuk ka ngritur asnjë problem. Sigurisht që deklarimet e tyre do të bëhen edhe para Gjykatës, por deri atëherë.... Sot, nisur nga situata e krijuar pas seancës së fundit, nga sa thashë më lart, dëshiroj të saktësoj se kompania “SAC-Albademil” është paraqitur fillimisht në prill dhe ka filluar punë në ambientet e repartit ushtarak në Gërdec vetëm në maj të vitit 2007. Puna në fabrikë ka nisur krejtësisht në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme me shtetin shqiptar, në përputhje me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes. Strukturat e Forcave të Armatosura kanë qenë dhe janë vënë në dijeni të plotë të aktivitetit që fabrika do të kryente dhe janë këta të fundit që dhanë dritën jeshile për ngritjen e kësaj fabrike demontimi në repartin ushtarak, Gërdec. Gjithashtu, sjell sot në vëmendje se një shoqëri për polici private ka kontraktuar për llogari të fabrikës sonë dy punëtorë roje. Ky kontraktim është bërë në maj të vitit 2007. Rojet ishin Beqir Prini, i cili e la punën pas tre muajsh, dhe Ibrahim Kola. Të gjitha këto deklarime para organit të prokurorisë dëshmojnë vetëm një të vërtetë, atë çka po deklaroj dhe unë sot. Të vërtetë, të cilën jam i bindur se kjo trupë gjykuese do ta hetojë dhe zbardhë në ditët në vazhdim pa lënë askënd të abuzojë me faktet apo gënjeshtrat e bëra me apo pa dashje nga dëshmitarët.
Ju faleminderit, Dritan Minxolli.

Deklarata e Luan Hoxhës: “U injoruan informacionet e mia”

Rrëfimi i gjeneral Luan Hoxhës para prokurorëve rreth 10 ditë pas shpërthimit në Gërdec solli disa risi interesante që hedhin dritë mbi pretendimet e ish-shefit të Shtabit se ai ishte “sfumuar” në kompetencat e veta nga ish-ministri Mediu. Për të vërtetuar këtë pretendim, gjeneral Luan Hoxha i ka dorëzuar prokurorëve një letër informuese konfidenciale me të cilën ai kishte njohur Presidentin e Republikës, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit lidhur me problemet në ndërhyrjen e kompetencave që kishin lindur mes tij dhe ish-ministrit. Por, në shpjegimet që ka dhënë mbi këtë letër informuese, gjenerali ka pohuar se në asnjë rast nuk ka marrë një përgjigje prej këtyre institucioneve duke zbuluar haptazi indiferencën dhe injorimin që krerët më të lartë të shtetit i kishin bërë një problemi që kishte lindur mes rangjeve më të larta të Forcave të Armatosura dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë kontekst, gjenerali Luan Hoxha ka deklaruar se e njëjta gjë ka vlejtur dhe për urdhrat për Gërdecin, ndërsa për shumicën dërrmuese të këtyre urdhrave gjenerali ka pohuar se i ka njohur vetëm pas tragjedisë.

Urdhri i Shpëtim Spahiut për demontimin

Një urdhër i gjeneral Shpëtim Spahiut, i muajit tetor 2007, duket se ka nxjerrë në pah gjithë falsitetin e operimit në bazën e Gërdecit. Ndërsa firma “Southern Ammunition” kishte nisur procesin e demontimit të fishekëve me kalibër të vogël që në muajin maj. Ky urdhër i gjeneralit Shpëtim Spahiu ishte i bazuar në Urdhrin Nr. 550 të të njëjtit vit të dhënë nga ish-ministri Mediu, ndërsa duket se ndryshe nga sa është pretenduar publikisht, ish -reparti i tankeve në Gërdec është marrë në dorëzim nga ndërmarrja “MEICO” vetëm 5 muaj pasi puna kishte nisur. Deri në këtë kohë kontratat janë lidhur mes gjeneralëve të Shtabit dhe vetë Mihal Delijorgjit. Një tjetër fakt i rëndësishëm që bie në sy është se ish-shefi i Shtabit, gjeneral Luan Hoxha, nuk ka sigluar në asnjë dokument të kësaj procedure, duke rezultuar se ka pasur një lidhje të shkurtër korrespondence zyrtare mes gjeneral Shpëtim Spahiut dhe zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Muaji tetor, kur u krye dhe kalimi i bazës së Gërdecit në llogarinë e ndërmarrjes “MEICO”, përkon dhe me ardhjen e makinerive për demontimin e predhave të rënda. Ky proces nisi në fakt në janar 2008.

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›