Meta: “Pezullimi i Marrëveshjes për kufirin detar nuk do të cenojë marrëdhëniet midis dy vendeve”
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, në një intervistë për BBC-në tha se rrëzimi i projektmarrëveshjes për kufijtë detarë mes Shqipërisë e Greqisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese nuk do të cenojë aspak të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve. I pyetur nëse Marrëveshja për kufirin detar me Greqinë ka qenë një marrëveshje për të shmangur një veto greke ndaj anëtarësimit të mundshëm të Shqipërisë në BE, Meta hodhi poshtë zërat, por megjithatë u shpreh se zgjidhja e çështjeve të kufijve në tërësi për vendet që ende nuk i kanë zgjidhur ato dhe që synojnë të anëtarësohen në BE, është një avantazh më shumë për të ecur më të sigurt në këtë rrugë. Përsa i përket zgjidhjes së krizës politike në vend, Meta shprehu bindjen se maxhoranca asnjëherë nuk do të mungojë në një dialog të tillë, por, sipas tij, do të krijojë të gjitha hapësirat që edhe lidershipi i opozitës të çkontraktohet dhe të marrë pjesë në mënyrë normale dhe të natyrshme në këtë proces të dialogut politik.
Çfarë mund të ofrojë Shqipëria në takime të kësaj natyre?
Shqipëria ka ofruar mjaft në drejtim të angazhimit të saj përsa i takon çështjes së Afganistanit. Është ndër shtatë vendet e para kontribuuese. Aktualisht në Afganistan janë rreth 230 trupa shqiptare, ndërkohë që ka angazhime të reja pas shpalljes së strategjisë së re nga ana e presidentit Obama për Afganistanin, që ka të bëjë me angazhimin e 65 trupave të tjera ushtarake, 35 prej të cilave janë forca speciale dhe 30 të tjera për qëllime trajnimi, si dhe një ekip mjekësor prej një personeli prej 20 vetash. Shqipëria ka edhe angazhime të tjera në drejtim të rehabilitimit të shkollave në Afganistan. Ka marrë përsipër rikonstruksionin e tetë shkollave atje, ka ofruar 100 bursa për të rinj afganë që do të studiojnë në universitetet e vendi tonë, dhe absolutisht është një nga vendet që përsa u përket kapaciteteve të saj, kontribuon në mënyrë të jashtëzakonshme dhe shumë të vlerësuar.
A është caktuar ndonjë afat për dërgimin e trupave shtesë?
Besoj se ato do të dërgohen së shpejti, në përputhje edhe me gjithë atë që kërkon bashkërendimi me të gjitha trupat e tjera atje.
Konferenca të tilla, zoti Meta, janë edhe një shans për takime dypalëshe me homologët tuaj që shpesh mund të jenë edhe të rastësishme. Por duket se konferenca e Londrës ju dha mundësinë që të kishit një takim thuajse të pashmangshëm me ministrin alternat grek të Punëve të Jashtme, Dimitris Drucas, pasi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë rrëzoi projektmarrëveshjen për kufijtë detarë mes dy vendeve. Sa e zemëruar ishte Athina nga kjo që ndodhi, zoti Meta?
Takimi me ministrin plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, zotin Drucas, nuk ishte një takim i pashmangshëm, sepse nuk ka asnjë arsye që të ketë përpjekje për t'u shmangur në takime, aq më tepër nga përfaqësues të një vendi tepër të rëndësishëm për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe për stabilitetin, paqen dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, sikurse është Greqia. Në këtë drejtim, unë, natyrisht që jam takuar me zotin Drucas. Kemi shkëmbyer mendimet tona. Absolutisht që vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të cenojë aspak perspektivën dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, të cilat absolutisht që do të tregojnë një vullnet edhe më të madh për të ecur përpara, pasi janë marrëdhënie të gjithanshme në të gjitha fushat, në interes të të dyja vendeve dhe popujve tanë, ashtu sikurse jam i bindur që të gjitha çështjet që janë të mbartura dhe ende të pazgjidhura, do të zgjidhen duke respektuar institucionet e të dyja vendeve dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me perspektivën europiane, sidomos të Shqipërisë, e cila ende ka një rrugë për të bërë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Nuk u shpreh asnjë keqardhje nga pala greke për vendimin e Gjykatës në Shqipëri për këtë çështje?
Natyrisht që ka një keqardhje jo vetëm nga pala greke, por do të thosha se edhe unë ndjehem i keqardhur, jo thjesht për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por në përgjithësi për instrumentalizimin në politikë të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike.
Do të thotë kjo që edhe Gjykata Kushtetuese është e instrumentalizuar politikisht nga kjo fushatë?
Nuk dëshiroj të merrem me këtë çështje. E kam shprehur edhe më përpara, qëkur kjo çështje është drejtuar drejt Gjykatës Kushtetuese nga lidershipi i Partisë Socialiste, se ne do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse vendimi do të jetë bindës apo jo për ne, sepse ne respektojmë institucionet dhe pavarësinë e gjykatave. Megjithatë, jam absolutisht i bindur që marrëdhëniet me Greqinë do të shkojnë përpara. Është interes i dy vendeve tona, nuk është thjesht i dy qeverive, dhe jam i bindur që gjithë forcat progresiste dhe europianizuese në dy vendet nuk do të mbeten peng të grupimeve ekstremiste.
Ka pasur dhe zëra kritikë, zoti Meta, që thonë se për të shmangur një veto greke ndaj anëtarësimit të mundshëm të Shqipërisë në BE, qeveria shqiptare apo qeveritë shqiptare në përgjithësi, mund të jenë të gatshme të hedhin edhe një hap kompromisi më shumë. Cili është mendimi juaj?
Nga gjithë studimi që unë i kam bërë kësaj çështjeje, pas marrjes së detyrës së ministrit të Jashtëm, nuk shikoj asnjë tendencë të tillë. Absolutisht unë mendoj që zgjidhja e këtyre çështjeve, zgjidhja e çështjeve të kufijve në tërësi për vendet që ende nuk i kanë zgjidhur ato dhe që synojnë të anëtarësohen në BE, është një avantazh më shumë për të ecur më të sigurt në këtë rrugë, por absolutisht që të gjithë ata që pretendojnë apo që nxisin thashetheme të tilla, do të thosha absolutisht që do të ngelin të zhgënjyer. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohen më tej. Është një interes i dy popujve tanë, thjesht i dy qeverive, të cilat absolutisht që kanë përgjegjësinë për t'u ngritur mbi çdo episod të pakëndshëm.
Në një zhvillim tjetër, zoti Meta, Këshilli i Europës miratoi të enjten një rezolutë për Shqipërinë, ku ndër të tjera kërkonte edhe një tryezë politike për ta nxjerrë vendin nga situata politike ku ndodhet. Si e lexoni ju këtë kërkesë të Këshillit të Europës?
Unë e vlerësoj rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si tepër inkurajuese për vendin tonë për të ecur përpara në rrugën e forcimit të institucioneve demokratike, pasi rezoluta bën të qartë dhe apelon për kthimin sa më të shpejtë të Partisë Socialiste në Parlament. Ashtu sikurse rezoluta është në favor të një hetimi të zgjedhjeve, por pa cenuar Kushtetutën e vendit, që është një element tepër thelbësor në respektimin e parimeve kryesore të shtetit të së drejtës dhe absolutisht që çdo tryezë, çdo dialog, është tepër pozitiv. Asnjëherë nuk ka qenë maxhoranca gjatë këtyre muajve që është shmangur nga dialogu, nga tryezat. Përkundrazi, dhe për fat të keq, ka qenë lidershipi i Partisë Socialiste. Shpresojmë që ata ta lexojnë drejt rezolutën dhe të angazhohen në zbatimin e rekomandimeve të saj.
Kërkesa është normale, por sa realiste është mbajtja e kësaj tryeze në realitetin aktual në Shqipëri?
Nuk shikoj asnjë pengesë dhe theksoj edhe njëherë, nga ana e maxhorancës është tërësisht realiste, sepse nuk e kuptoj se ç’do të thotë që dikush të mos shkojë në një tryezë, dikush t'i shmanget dialogut në një vend demokratik. Absolutisht që është diçka krejtësisht normale, do të thosha, dhe pa dyshim që dialogu duhet të ecë përpara, por për dialogun duhet të jenë dy palë. Unë jam i bindur që maxhoranca asnjëherë nuk do të mungojë në një dialog të tillë. Përkundrazi, do të krijojë të gjitha hapësirat që edhe lidershipi i opozitës të çkontraktohet dhe të marrë pjesë në mënyrë normale dhe të natyrshme në këtë proces të dialogut politik dhe forcimit të institucioneve demokratike të vendit.
Marrë nga BBC-ja
30 Janar 2010