E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia, gruaja e ish-inspektorit të Gërdecit: “Im shoq e paralajmëroi tragjedinë ditë më parë”

Laureta Rryçi

Bukurije Çanga dëshmoi dje para Gjykatës se bashkëshorti i saj, Besim Çanga, ish-ushtarak i prekur nga reforma, e kishte paralajmëruar tragjedinë e Gërdecit. Sipas dëshmitares, i shoqi kishte kryer një sërë specializimesh jashtë shtetit, megjithatë ai sërish ishte prekur nga reforma në vitin 2007 dhe kishte mbetur përkohësisht pa punë. I ishte bërë ofertë pune nga kompania “Albademil” për ta punësuar si instruktor në fabrikën e demontimit. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së tij, Besimi paguhej me 90 mijë lekë në muaj. Ai kishte si detyrë vetëm të instruktonte punëtorët, mirëpo dukej se ishte shumë i shqetësuar për shkak se punëtorët ndërroheshin shumë shpesh dhe atij i duhej t’ia riniste sërish nga e para me instruktazhet e tij. “Bashkëshorti im ishte një nga viktimat e Gërdecit. Shpesh më thoshte se në fabrikë mungonin kushtet e sigurisë dhe se ajo nga momenti në moment mund të shpërthente”, - dëshmoi 50-vjeçarja.
Instruktimi
Dëshmitarja tregoi se një ditë burri i kishte ardhur në shtëpi më i qetë se zakonisht. Kur e kishte pyetur se përse ishte i qetësuar, ai i kishte thënë se më në fund drejtuesit e kompanisë e kishin dëgjuar dhe kishin vendosur në fabrikë disa bombola fikëse për zjarrin. “Më kujtohet se bashkëshorti më tregonte se për shkak të sigurisë u kishte kërkuar që karrocat t’i vishnin me gomë. Por askush nuk ia kishte dëgjuar fjalën. Ai më tregonte se instruktazh u kishte bërë dhe personave që merreshin me saldimet e karrocave, me të cilat bëhej transportimi i barutit. Sipas tij, karrocat ishin një rrezik i madh për secilin prej punëtorëve që ishte në atë fabrikë. Thjesht ecja e tyre mund të shkaktonte shkëndija dhe menjëherë gjithçka mund të shpërthente”, - tregoi dëshmitarja. Më pas ajo tha se i shoqi kishte kaluar te një grup punëtorësh që grumbullonin arkat që kishin pasur armatime. Ai nuk e kishte mësuar arsyen se përse e kishin zhvendosur nga puna e tij e përditshme.
Rrëzimi
Me deklaratën e djeshme të Bukurije Çangës, prokuroria arriti të sillte para gjykatës kushtet e sigurisë që mungonin në fabrikën e demontimit. Pavarësish deklarimeve të dëshmitarëve, administratori i fabrikës, Dritan Minxolli, jo pak raste i pyet nëse kanë pasur bombola fikse zjarri, apo kishin instruktorë në grupin ku punonin. Dëshmitë nuk kanë qenë të njëllojta, ka punëtorë që thonë se kanë nënshkruar dhe janë njohur madje edhe me një rregullore, por ka dhe të tjerë që mohojnë në mënyrë kategorike se në atë fabrikë ekzistonin kushtet e sigurisë. Pjesa më e madhe e tyre është shprehur në gjykatë se halli i ka shtyrë për të kërkuar punë atje.

“Gërdeci”, i ndarë në disa procese
Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Më 15 mars 2008, 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku çmontoheshin municione duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara. Të 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit po gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Ndërkohë, në Gjykatën e Lartë, padia e një 12-vjeçari, Roxhers Durda, hapi procesin gjyqësor nga ministrit të Mjedisit, atëherë ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. I mituri, i cili humbi në tragjedi nënën, banesën dhe personalisht mori plagë të shumta në trup, e akuzon Mediun për dëmtim. Alketa Hazizaj, një tjetër banore e Gërdecit, e ka paditur Mediun për dëmtim nga tragjedia e 15 marsit në fshatin e saj. Trupi gjykues vendosi që seanca e pajtimit mes Mediut dhe Hazizajt të nisë më 15 shkurt. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji, ish-drejtori Teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, ish- punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeci, janë në gjendje arresti. Ata akuzohen për vrasje masive dhe shkatërrim prone. Mes të pandehurve që gjykohen në gjendje të lirë, kryesisht janë ish-funksionare të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Dëshmia
Myrvete Lala: “Kishim si normë 160 arka fishekë”
Një nga punëtoret e fabrikës së Gërdecit dëshmoi dje se në atë fabrikë ishte punësuar bashkë me vajzën e saj për shkak të problemeve ekonomike. Sipas dëshmitares, në fazën e parë të demontimit të fishekëve, ajo, bashkë me të bijën, kishte si normë që brenda ditës të hapnin 160 arka me fishekë. Ndërsa në pjesën e dytë të projektit, një grup prej 20 vetash kishte si normë që të demontonin 1000 predha në ditë. E pyetur nga trupi gjykues, dëshmitarja tregoi se ajo gjithmonë e arrinte normën. Ditën e ngjarjes ajo kishte shkuar për të marrë qesen me bukë kur kishte parë zjarrin në oborr të fabrikës. “U përpoqa të largohesha e tmerruar, por vala e shpërthimit më zuri dhe kam marrë plagë të rënda në krah”, - vijoi dëshminë e saj Lala. Prokurorët e çështjes i kërkuan gjykatës që të kundërshtonin një pjesë të deklarimeve të kësaj dëshmitareje. Sipas tyre, dëshmitarja, kur është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, ka dëshmuar se e kishte komshi Qemal Deliun dhe shpeshherë e kishte parë vetë se ai saldonte karrocat që prisheshin duke transportuar barut. Në seancën e djeshme, dëshmitarja u shpreh se nuk mbante mend të ishte prishur ndonjë karrocë dhe nuk kishte dijeni se ku saldoheshin ato. Kërkesa e prokurorit u pranua nga gjykata, kështu që në procesverbalin e seancës së djeshme u përfshinë edhe ato thënie. Në seancën e djeshme dëshmuan edhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët ishin punëtorë të fabrikës. Prokurori pyeti në cilësinë e dëshmitarit Bujar Nasufin, Liza Durdajn dhe disa dëshmitare të tjera.

Dëshmia e rojës që solli reagimin e Minxollit
Dëshmitari Beqir Prini ka deklaruar dy seanca më parë se në fillimet e punës së tij, përkatësisht gjatë muajit shkurt 2007 si roje, kishte parë të vinin e të sistemonin vendin Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli së bashku me persona të tjerë. Ai paguhej me 20 mijë lekë në muaj dhe detyra e tij ishte thjesht të ruante ambientin që po sistemohej nga fadromat dhe makinat e tjera të tonazhit të rëndë. Sipas prokurorisë, kjo dëshmi është e rëndësishme pasi sipas deklaratave të ish-rojës, nëse do t'i referohemi periudhës kur Prini punonte në fabrikën e Gërdecit, është e njëjta kohë që sipas dokumenteve po zhvillohej edhe beteja për të krijuar këtë fabrikë. Më pas Prini ka dëshmuar se në kohën kur filloi fabrika të punonte, ai është pushuar nga puna. Me demontimin e fishekëve ishte punësuar pas qershorit bashkëshortja e tij, Bukurija, e cila është një nga ish-punëtoret që ka mbetur më shumë e dëmtuar në ditën e shpërthimit. Prini dëshmoi një seancë më parë, ndërsa dje ishte sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë pasi shoqëronte bashkëshorten e tij, e cila ishte thirrur në cilësinë e dëshmitares. Për shkak të gjendjes së saj shëndetësore ai kërkonte që e shoqja të dëshmonte e para, pasi nuk ishte në gjendje të priste me orë të tëra.

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›