Deklarata dhe reagime për çështjen e kryekomisar Krenar Ahmetit
Forumi i “Avokatëve për drejtësi” reagoi dje ndaj letrës që ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i dërgoi gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për të kthyer masën e pezullimit ndaj shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti. Sipas nënkryetarit të forumit të “Avokatëve për drejtësi”, Përparim Rama, ky është një rast ekstrem dhe flagrant i ndërhyrjes në pushtetin gjyqësor. “Po cenohet pavarësia e gjyqësorit”, - tha Përparim Rama, duke e cilësuar veprimin e ministrit si një akt të paligjshëm. “Reagimi i këtij funksionari të lartë të dikasterit të Ministrisë së Brendshme është një qëndrim haptazi antiligjor që cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, që konkretizohet në nenin 7 të Kushtetutës”, - theksoi Përparim Rama. Në përfundim të deklaratës së tij, nënsekretari i Forumit të Avokatëve ka deklaruar se ky është një rast i pastër që dëshmon se pavarësia e gjyqësorit cenohet rëndë nga ndërhyrjet e padrejta, duke shkelur liritë dhe të drejtat e personave të dëmtuar nga veprimtaria e paligjshme e këtyre funksionarëve. Por, sapo ka përfunduar deklarata për shtyp e këtij forumi, ka reaguar menjëherë zyra e shtypit në Ministrinë e Brendshme. Zyra e shtypit deklaron se “në bazë të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, ministri i Brendshëm ka përgjegjësinë ligjore të sigurojë eficencën dhe efektivitetin e punës së Policisë së Shtetit dhe të kërkojë informacione dhe dokumente për kryerjen e detyrave të saj, në përgjithësi, ose dhe në lidhje me ndonjë çështje të veçantë. Për këtë, ligji i jep ministrit të Brendshëm instrumentin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të ngritur me ligj të veçantë, si strukturë e pavarur, që gëzon atributet e Policisë Gjyqësore dhe ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Për rastin konkret, të cilit i referohet Forumi i Avokatëve për Drejtësi, në përfundim të hetimeve të kryera nga ky shërbim, rezultoi se kishim të bënim me veprime të kundërshtimit me dhunë ndaj punonjësit të policisë që kryen detyrën dhe mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë, parashikuar nga nenet 236/2 dhe 242 të Kodit Penal, për të cilat ishin bërë edhe kallëzimet përkatëse. Rezultatet e këtij hetimi dhe vlerësimi i eficencës së punës së strukturës që drejton z. Krenar Ahmeti, i janë ofruar organeve gjyqësore për marrjen e një vendimi të drejtë, gjithmonë mbi bazën e provave dhe argumenteve ligjore, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut. Dërgimi i këtij dokumenti është kryer konform rregullave procedurale. Në asnjë rast, informacioni i dërguar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk kërkon ndërhyrjen në pavarësinë e gjyqësorit”. Në përfundim të reagimit, zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme deklaron se “shpreh keqardhjen për tendencat e keqinformimit të publikut, për më tepër kur këto bëhen në konflikt të hapur interesi”.