E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa; Vrasja e Koçiut, “burg me afat 45 ditë” për Arben Isufajn



Prokuroria e Tiranës nëse nuk do të gjejë prova bindëse ndaj Ben Qimes, atëherë ky i fundit pas 45 ditësh do të jetë i lirë. Ky ka qenë edhe vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Tiranës për të pandehurin Arben Isufaj. Gjatë caktimit të masës së sigurisë, prokurori Ervin Karanxha i ka bërë me dije gjykatës se është në pritje të ekspertizës daktiloskopike për shenjat e gishtërinjve të gjetura në armën e krimit. Organi i akuzës shpresat i mban tashmë te një përgjigje zyrtare, që pritet t’i vijë nga Laboratori Kriminalistik i Londrës, i cili në vitin 2002 bëri aktin e ekspertimit daktiloskopik për gjurmët e gishtit të gjetura në armën e krimit, me të cilën u ekzekutua Pirro Koçiu. Ndërkohë që prokuroria i ka kërkuar gjykatëses Alkelina Gazidede të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg 45 ditë”, masë e vendosur nga kjo gjykatë sipas kërkesës së akuzës. Ndërkohë që pretendimet e prokurorisë janë kundërshtuar nga ana e mbrojtjes, që ka kërkuar lirimin e klientit të tij me pretendimin se ndaj tij nuk ka prova, që ai është autori i vrasjes së Pirro Koçisë. Ndërsa i ka shpjeguar gjykatës se klienti i tij, Isufaj, qëndron në qeli pa asnjë provë kundër tij, gjykatësja e gatshme ka vendosur të lërë në fuqi kërkesën e paraqitur nga ana e prokurorit në lidhje me masën e sigurisë së Qimes. Vetë Ben Qimja ka refuzuar të jetë prezent në seancën gjyqësore në ngarkim të tij, duke kërkuar që ky i fundit të mbrohet nga ana e avokatit të tij mbrojtës. Seanca gjyqësore ka zgjatur plot 3 orë, ndërkohë që pas 45 ditësh, Prokurorisë do t’i duhet të dorëzojë gjykatës provat e saj bindëse. Prova e vetme e cila do të mbajë peng edhe për 45 ditë me radhë të pandehurin Ben Qimja është ajo e gjurmëve daktiloskopike. Pistoleta me të cilën është qëlluar 6 vjet më parë Koçiu, e cila ishte hedhur vetëm pak metra më poshtë vendit në të cilën është vrarë Koçiu, ka pasur disa shenja gishtërinjsh të ndryshme. Këto shenja gishtërinjsh do të krahasohen me ato të marra nga Ben Qimja pas arrestimit të tij. Në rast se nga ekspertiza daktiloskopike nuk verifikohen gjurmët, atëherë Qimja mund të lirohet, në të kundërt gjykata do të caktojë një masë sigurie më të ashpër se ajo e dhënë dje deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja, dyshohet të jetë i implikuar në vrasjen e Pirro Koçisë më 12 gusht të vitit 2002, në rrugën “Him Kolli”. Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës 13 shkurt 2008, vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për konsumim të veprave penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, si dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”. Por, për vrasjen e Pirro Koçiut ekziston dhe një vendim tjetër i Gjykatës së Lartë, që rrëzon akuzat ndaj Arben Isufajt. Tashmë do të jetë vetëm përgjigjja e ardhur nga Londra që do qartësojë pozicionin e Ben Qimes, i lirë apo në pranga pas 45 ditëve. Isufaj njihet si një nga biznesmenët më me emër në qytetin e Fierit. Ky i fundit është cilësuar si kapobanda i Fierit. Qimja akuzohet për disa vepra penale atë të “trafikut të lëndëve narkotike”, si dhe për bashkëpunim në disa vrasje të tjera. Pas lirimit të Qimes nga Gjykata e Lartë, policia mësohet ta ketë fshirë këtë të fundit nga lista e personave në kërkim. Qimja njihej si një nga furnizuesit e “Bandës së Lushnjës” me lëndë narkotike, ku një nga anëtarët e saj ka qenë edhe viktima Pirro Koçiu, për të cilin 37-vjeçari akuzohet ta ketë vrarë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›