Deklarata e Berishës: “Pritja e Ramës për kryeministër, si pritja e Godosë”
Mazhoranca fut në procedurë parlamentare paketën fiskale që parashikon kalimin e disa taksave nga qeveria qendrore tek ajo vendore. Kryeministri Berisha fton opozitën të votojë këtë reformë, në mënyrë që pushteti vendor të marrë përgjegjësi të plota për zhvillimin lokal në investime infrastrukturore, thithje të investimeve dhe administrim të plotë të pasurive në territorin e bashkive apo komunave. Berisha theksoi se Rama s’e votoi ligjin fillestar, pasi priste të bëhej Kryeministër, pritje e cila iu bë si pritja e Godosë
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje futjen në procedurë parlamentare të paketës fiskale që parasheh kalimin e një seri taksash nga administrimi i qeverisë qendrore, tek pushteti vendor. Opozita nuk e ka miratuar këtë ligj që siç tha kryeministri qëndronte në llogaritë e lidershipit të saj se do të merrte drejtimin e vendit, por edhe iu bë si pritja e Godosë. “Procesi i decentralizimit është një ndër proceset më themelore të zhvillimit dhe konsolidimit të demokracisë. Ne kemi bërë hapat më të mëdha gjatë këtyre viteve, por tani që janë konstituuar të gjitha pushtetet vendore, bashkitë, komunat dhe qarqet duhet të ndërmarrim një seri reformash të rëndësishme në mënyrë që pushtetarët vendorë të kenë të gjitha mundësitë, por edhe të gjitha përgjegjësitë për zhvillimin e komunave dhe bashkive të tyre. Decentralizimi, në thelb dhe në të vërtetë, para së gjithash është i lidhur me fondet, me paratë. Një paketë fiskale që prej vitesh priti votën e Partisë Socialiste në Parlament, në mënyrë që të kalonte me konsensus, si dhe që një seri taksash qendrore t’i kalonin si taksa lokale që do të mblidheshin dhe disponoheshin nga autoritetet vendore, u bllokua. U bllokua për qëllime tashmë të njohura. Zoti Rama besonte se do të ishte Kryeministri i vendit, por pritja e tij u bë si pritja e Godosë. Ndaj dhe urdhëroi grupin e tij të mos votojë decentralizimin për të cilin kishim rënë 100 përqind dakord me grupet e përbashkëta të punës të Këshillit të Ministrave, ministrisë së Financave dhe Bashkisë së Tiranës. Tani, ne atë ligj duhet ta votojmë. Ligjet nuk duhet të rrinë dhe nuk mund të rrinë në pritje të Godosë, ato që nuk kërkojnë shumicën me 3/5, pushtet të cilin zoti Rama e përdor për të bllokuar dhe jo për të votuar, të paktën deri më sot. Pra është e domosdoshme që ky kuadër ligjor të votohet”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai theksoi se paketa fiskale mund të diskutohet me drejtuesit vendorë, para se të kalojë në parlamentar për të marrë votat e ligjvënësve.
“Mund të bëhen, në rast se është e nevojshme, edhe një herë konsultime paraprake me të zgjedhurit vendorë, por tani që po bëjmë buxhetin ne duhet t’ua parashikojmë atë autoriteteve vendore. Mund t’ju them se investimet që bëhen për zhvillimin e qëndrueshëm rural nga ne si qeveri dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve janë sot, padiskutim, 8-10 herë më të mëdha se ato që janë bërë 5-6 vite më parë. Po shkojnë gati 9 mijë kilometra rrugë të ndërtuara, janë qindra e qindra kilometra të tëra në zonat rurale, janë me qindra ujësjellës, sisteme kanalizimi dhe sot 98 përqind e shqiptarëve marrin ujë nga rubineti. Natyrisht, jo furnizim 24 orë, por nga ky objektiv nuk hiqet dorë deri në realizimin e tij të plotë. Kemi realizuar një nga shkallët më të larta të furnizimit me ujë të rrjedhshëm të popullatës dhe vazhdojmë. Vazhdojmë me vendosmëri ndërtimin e sistemit të kanalizimeve në qendrat e banuara, kudo që janë ato. Vazhdojmë dhe do të vazhdojmë projektin tonë për tu ofruar fshatrave të vendit infrastrukturë të njëjtë më lagjet e qytetit. Vazhdojmë dhe do të vazhdojmë projektin tonë që të gjitha komunat e vendit të lidhen me akset kombëtare me rrugë të asfaltuar gjatë këtij mandati. Dhe ky projekt po ecën me shumë vendosmëri. Por asgjë nuk zëvendëson decentralizimin. Ndaj ju dhe ne, qeveria, do të angazhoheni me të zgjedhurit vendor të zonave tuaja në një debat, në një dialog dhe të shqyrtojmë të gjitha potencialet që janë për tu decentralizuar. Qeveria do të zbatojë çdo ligj dhe çdo vendim, si detyrim madhor në këtë drejtim. Do të bëjmë gjithçka që përfitues nga pasuritë në zonën dhe territorin e komunës të jenë edhe banorët e zonës, nëpërmjet rentës, nëpërmjet përqindjes në rentë dhe formave të tjera”, tha kryeministri.
Duke i mëshuar rëndësisë së decentralizimit që lidhet sidomos me momentin e konstituimit të plotë të organeve të qeverisjes vendore, kryeministri tha se duhet të jenë vetë ato të cilat të administrojnë pasuritë në territorin e tyre. Në këtë kuadër kryeministri u ndal në dy projekte të mëdha kombëtare, mbjellja e ullinjve dhe arrorëve. Ai tha se këto projekte janë të rëndësishme për arritjen e projektit “Shqipëria vend i zhvilluar”.
“Në një hark kohor jo më larg se 8 vjet, Shqipëria duhet të ketë mbjellë në territorin e saj 250 milionë rrënjë, 50 milionë rrënjë ullinj dhe arrorë 200 milionë. Kjo do të jetë një Shqipëri tjetër. Do të jetë, absolutisht, një Shqipëri në potencialet e saj. kjo do të bëjë të mundur rritjet e të ardhurave nga bujqësia me së paku 1.5 - 2 miliardë euro. Por kjo do të bëjë të mundur zhvillimin dhe nxitjen e fuqishme të industrisë përpunuese të prodhimeve bujqësore”, tha ai.
Kryeministri vuri në dukje se qeveria po bën gjithçka për një zhvillimin të qëndrueshëm rural, fakt që dëshmohet sipas tij edhe nga rritja me 10 herë e investimeve për këtë qëllim.