Kushtet për të ushtruar veprimtarinë e shoqërisë së informacionit
Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme projektligjin për tregtinë elektronike. Synimi i këtij drafti është vendosja e rregullave për kryerjen e veprimeve tregtare në rrugë elektronike nëpërmjet shërbimeve të ofruara nga shoqëria e informacionit, për mbrojtjen e personave pjesëmarrës, mbrojtjen ligjore të konfidencialitetit të konsumatorëve apo e të dhënave konfidenciale të pjesëmarrësve në të, si dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të shërbimeve të informacionit, duke përcaktuar përgjegjësitë e ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit. Ky ligj zbatohet për shërbimet e shoqërisë së informacionit kundrejt personave, fizikë a juridikë, me përjashtim të veprimeve noteriale, përfaqësimit të personave dhe mbrojtjen e interesave të tyre para administratës publike dhe gjykatave, si dhe veprimtarisë me pagesë për pjesëmarrjen e lojtarëve në bastet, lotaritë, lojërat e fatit, lojërat elektronike, hipodromet dhe kazinotë. Ky ligj nuk i shtrin efektet për marrëdhëniet juridike që krijohen në fushën e tatim-taksave; për mbrojtjen e të dhënave personale; për çështjet, që lidhen me praktika e marrëveshje, të rregulluara nga ligji i konkurrencës. Nëpërmjet këtij ligji ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, duhet të sigurojë moscenimin e të drejtave të njeriut; të garantojë mbrojtjen e konsumatorit dhe të investitorëve, të sigurojë mbrojtjen e minorenëve; të vendosë masa mbrojtëse për mosndërhyrjen në shërbimet e tij dhe mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale etj.
Çdo person, fizik ose juridik, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, ka të drejtë të ofrojë shërbime të shoqërisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e këtij ligji, pa u pajisur paraprakisht me leje, licencë, autorizim apo ndonjë dokument tjetër, të ngjashëm me to. Ofruesi i shërbimit në ushtrimin e veprimtarisë siguron për marrësit e shërbimit dhe për autoritetet përkatëse informacion, të paktën, për: emrin tregtar të ofruesit të shërbimit; adresën e vendit në të cilin është vendosur selia apo qendra kryesore e veprimtarisë së ofruesit të shërbimit; adresën e postës elektronike dhe adresën e faqes në internet; të dhënat e regjistrimit në Regjistrin Tregtar të ofruesit të shërbimit, sidomos numrin unik të identifikimit të personit;
një person juridik, ofrues i shërbimit të shoqërisë së informacionit dënohet me gjobë 200 000 (dyqind mijë) lekë për rastet e shkeljes së detyrimit për informacion të përgjithshëm. Shkeljet e parashikuara nga ky ligj, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe, sipas fushës së tyre të veprimit, autoritetet mbikëqyrëse vendosin gjobat, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
9 Prill 2009