E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata e Kryeministrit që shkaktoi panikun

Kryeministri shqiptar Sali Berisha i habiti të gjithë javën e kaluar, kur deklaroi se "shqiptarët duhet t‘i dorëzohen euros".

Media vendëse dhe ndërkombëtare e konsideroi deklaratën "lajm të madh". Sipas Bodes, kjo deklaratë e Kryeministrit është keqpërdorur nga opozita për të hapur panik. Si Bode, ashtu edhe Fullani, i bënë thirrje shqiptarëve dje të besojnë te leku si një monedhë e sigurt.

"Ne jemi një vend aspirant për në Bashkimin Europian dhe procesi i zëvendësimit të monedhës sonë me euron do të jetë shumë i gjatë. I ftoj të gjithë shqiptarët që të besojnë te leku, sepse është monedha më e qëndrueshme në rajon dhe që ka treguar më shumë stabilitet në këto dhjetë vitet e fundit", u shpreh Bode.

"Euroizimi i ekonomisë është ide vizionare, jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin, përderisa aspirata finale e tij është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Ajo ndërgjegjëson tregun vendas, rajonal por njëkohësisht edhe autoritetet europiane për përshpejtimin e proceseve të konvergjencës. Megjithatë, konvergjenca në Eurozonë është derivat i reformave të vazhdueshme strukturore dhe i forcimit të sistemeve financiare, ku një rol të rëndësishëm ka dhe qëndrueshmëria e monedhës. S‘ka integrim europian pa një ekuilibër afatgjatë të monedhës kombëtare me atë europiane", deklaroi Fullani.

Përballë guvernatorëve të bankave qendrore të rajonit, Berisha tha: "Euro, duhet të jemi realist, po bëhet një problem madhor për ekonomitë tona, në mënyrë të përsëritur mendoj, jo për shkak të kursit, se ky kurs është plotësisht i pranueshëm, por fakti që kjo monedhë e mbështetur në ekonominë më të madhe të botës, siç është ekonomia e Bashkimit Europian, bën presion mbi monedhat tona, unë mendoj se e shpejtë do të jetë dita, kur ne duhet të dorëzohemi, nuk do të vazhdojmë betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro, nuk na mbetet rrugë tjetër. Vendet tona, që jemi jashtë anëtarësisë të Bashkimit Europian, kemi gjithsej 1 për qind e prodhimit të brendshëm të Bashkimit Europian. Atëherë është e domosdoshme që disa marrëdhënie financiare, me Bankën Qendrore Europiane, duhet të negociohen. Ekonomitë tona po eurizohen, normal. Kjo nuk mund të them që është një gjë e keqpritur, se ky është destinacioni ynë, por kur shoh që edhe skeptikët britanikë kanë filluar të mendojnë ndryshe për euron, imagjinoni ju se ç‘mund të mendojmë ne për presionet që na bën ajo".

Një pjesë e vogël e gazetave u përpoqën të tregonin se kërkesa e Kryeministrit për të hapur negociata me Bankën Qendrore Europiane qe e pabazë. Por qytetarët e morën për fakt të kryer deklaratën pompoze të Kryeministrit.

Vetëm një javë më pas, kur në treg u panë pasojat e asaj deklarate, kreu i Financave u kujtua të "sqarojë" deklaratën e shefit të tij. Por edhe në këtë rast, sipas Bodes, fajin e kanë "segmente të opozitës, të cilat abuzuan me këtë deklaratë për të përhapur panik."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›