PS: Ministria e Arsimit mori funksionin e gjykatës
Partia Socialiste reagoi dje lidhur me qëndrimin e Ministrisë së Arsimit për tekstin e historisë së klasës së 12. Deputetja e kësaj partie, Ledi Shamku, bëri të ditur se Ministria e Arsimit mori rolin e drejtësisë. "Kështu pra, në këtë vend nuk ka më institucione që bëjnë punën e tyre, pasi Ministria e Arsimit ka marrë funksionet e gjykatës, duke e shpallur ajo vetë verdiktin për shpërthimin e Gërdecit, për të cilin ende nuk ka folur drejtësia. Nuk ka institucione, por thjesht shërbëtorë të zellshëm të neodiktatorit, i cili njëlloj si paraardhësi i tij, Hoxha, zgjedh ta instalojë diktaturën përmes manipulimit të historisë kombëtare dhe ta përhapë këtë manipulim përmes edukimit shkollor", vërejti Shamku. Ajo theksoi se ky nuk është më një problem teknik i standardeve të teksteve, por një ogur i zi politik e ideologjik i rrezikut që kërcënon sërish, pas 19 vjetësh, demokracinë e brishtë të këtij vendi.