E Diel, 1 Nëntor 2026

Këmbëngulja e së keqes

1.

Kjo ndodhi në Republikën maqedonase: Pas një pune disavjeçare, një skuadër historianësh dhe enciklopedistësh nxorën në dritë një botim, në të cilin thuhen të pavërteta të padiskutueshme për një popull tjetër, për fqinjin e tyre perëndimor dhe për një ndër komunitetet më të mëdha etnike që jeton në atë vend: shqiptarët. Nga të pavërtetat historike mund të kalohet natyrshëm në interpretime të pabaza politike dhe shtetërore. Përveçse qëllimeve, mua më shqetëson edhe ontologjia e së pavërtetës. Pra, për faktin se diku në një shtet ballkanik prodhohen gënjeshtra shkencore e shtetërore, në rastin tonë, me një konotacion etnik. Ato arrijnë te lexuesi me një paskokëçarje të frikshme. Dhe që natyrshëm ngjallën reagimin e asaj pjese të popullsisë, së cilës i dëmtojnë identitetin dhe vlerat shqiptarëve që jetojnë në shtetin maqedonas.

2.

Kjo ndodhi në Shqipëri: Pas një pune rreth njëmujore (kaq ishte koha e vënë në dispozicion për shkrimin e tekstit të historisë), një grup historianësh nxorën në dritë një tekst historie, ku nuk flitet me gjuhën e historisë, por me gjuhën vulgare të ditës. Në këtë libërth thuhen të pavërteta të padiskutueshme jo për fqinjin lindor, jugor apo perëndimor, por për një pjesë të popullsisë së vendit, madje për shumicën e saj. Thelbi i shtrembërimit historiko-politik është se gjysma e popullsisë, në stilin perëndimor, mund të themi e kombit, vlerësohet si e mirë dhe gjysma tjetër si e keqe. Kjo natyrisht nuk thuhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por lihet të kuptohet. Përderisa produkti i votuar prej gjysmës së majtë (qeverisja socialiste) demonizohet dhe produkti i votuar prej gjysmës së djathtë (qeverisja demokrate) hyjnizohet, kjo të lë të kuptosh se gjysma e majtë e ka një problem, derisa voton dhe sjell në qeverisje një klasë politike të korruptuar dhe antipopullore. Në këtë rast, nuk do të merrem me këtë të pavërtetë, për të cilën jam thellësisht i bindur. Ajo që dëshiroj të ndaj me lexuesin është ekzistenca, pra fakti i shtrembërimit të së vërtetës dhe lehtësia me të cilin ai arrin te lexuesi. Dukuri që natyrshëm ngjalli reagimin e të dëmtuarve: socialistëve shqiptarë, të cilët janë votuar nga pjesa e madhe e popullsisë që voton majtas.

3.

Të dyja këto ndodhi, edhe pse në dukje pa lidhje, i bashkojnë shumë elemente. Ato i bashkon para së gjithash e keqja. Jo vetëm në kuptimin moral, por në kuptimin politik dhe historik. Këmbëngulja e së keqes mund të rezultojë fatale kudo, por ajo ngjan më tepër e tillë në Ballkan. Në rastet konkrete, instrumentet e shtrembërimit krijohen jo nga njerëz të thjeshtë, që grinden për bukën e gojës, pagën e punës me mëditje te punëdhënësi dorështrënguar, apo trajtimin e padenjë të emigrantëve, të cilët në të drejtën e tyre natyrore e shtetërore, lëvizin lirisht në të dyja anët e kufirit. Jo. Këto shkase grindjesh janë produkte intelektuale, që janë krijuar nga elitat në të dyja vendet. Si veprime provokative, ato vijnë nga e njëjta shtresë profesionistësh: historianët. Si ka mundësi që kjo shtresë intelektualësh, e cila ka më pak se gjithë të tjerët arsye për të keqshërbyer, ka rënë kaq poshtë? Në vend që të ndriçonin pjesët e errëta të historive të vendeve të tyre, historianët në fjalë errësojnë pjesët e ndriçuara. Duke krijuar në këtë mënyrë një historiadë negativiste.

Për nga natyra e tyre, të dy episodet ushqejnë një prirje vetizolimi të të dy shteteve, e cila i kundërqëndron prirjes integruese të popujve të këtyre vendeve. Në të dyja rastet, elitat i kundërqëndrojnë jo thjesht imperativave historikë të të dy popujve, por misionit të tyre. Në vend që të shërbejnë si emancipuese të popujve, me klientelizmin e tyre ndaj shumicave politike apo etnike, elitat po i qorrollepsin ata. Duket sikur elitat kanë vendosur në shënjestër kohezionin e shoqërisë. Në njërën anë, kohezionin etnik, në tjetrën atë politik. Instrumentet e shtrembërimit të së vërtetës sponsorizohen nga shtetet dhe qeveritë në të dyja vendet. Këto të pavërteta nuk thuhen në libra, ku përgjegjësia është e autorëve, por në tekste ku përgjegjësia e shkruesve shkrihet me përgjegjësinë e shteteve dhe qeverive. Këto të fundit kanë ftuar në garë, kanë tenderuar dhe pastaj kontraktuar shkruesit përkatës të këtyre të pavërtetave. Këta zanatçinj kanë punuar, siç thuhet në gjuhën e sipërmarrjes fasoniste, me material të porositësit.

4.

Sociologët dhe politologët kanë përmendur shpesh ndërlikimet që vijnë nga fakti se në Ballkan pleksen reformat politike, ekonomike dhe kulturore me demonët e përgjumur etnikë e nacionalistë, mbetje të kujtimeve perandorake. Këta demonë rrezikojnë të shndërrohen në gjyle nëpër këmbët e shteteve të vjetra e të reja ballkanike. Duket sikur, të përzënë nga të gjitha hapësirat e tjera europiane, demonët janë strukur e mbivendosur në rrëpirat ballkanase-perëndimore, ku jetojnë pranë (dikur edhe kundër) njëri-tjetrit, në hapësira të ngushta, popuj, besime, kultura, gjuhë, simbole dhe shenja të ndryshme. Hapësira ballkanike ngjan e pamjaftueshme për të nxënë mllefet që burojnë nga kujtesat kolektive të banorëve të gadishullit. Unë vazhdoj t‘i besoj tezës që buron nga leximi realist i profesorit tim Huntington, se integrimi i vonuar i ballkanasve perëndimorë nuk është pasojë e nivelit të pamjaftueshëm të GDP-së, as i kontrollit të dobët të kufijve, as i mungesës së shtetit ligjor, dhe as i pasaportave të munguara biometrike.

Integrimin europian të ballkanasve nuk e pengon biometrizimi i pasaportave, por rezistenca e reminishencave shekullore. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që Ballkani Perëndimor përpëlitet ende në kurthet e tranzicionit, ndërkohë që pjesa tjetër e popujve të gadishullit kanë hyrë në oborrin e Europës. Në rajonin e vogël ballkano-perëndimor duket sikur kanë precipituar tërë mbetjet e zhvillimeve rajonale. Gjatë dy dekadave të tranzicionit, Europa nuk rreshti së diferencuari popujt e Lindjes së saj. Mjafton të përmendim veçimet që janë zbatuar: Nga Europa Qendrore dhe Lindore, pastaj (pas shkëputjes së qendrores) Europa Lindore, pastaj (pas shkëputjes së lindores) Ballkani, pastaj (pas shkëputjes së një pjese të vendeve ballkanike) Ballkani Perëndimor. Këto diferencime, krahas mllefeve e kujtimeve, shndërrohen shpesh në kumte që turbullojnë gjykimin e ballkanasve dhe vështirësojnë bashkëjetesën e tyre. Një kumt të tillë përbën edhe enciklopedia e fundit maqedonase.

Po ç‘lidhje ka kjo me historianët shqiptarë? Të dyja grupet e historianëve dëshmojnë se vuajnë nga e njëjta sëmundje: sindroma e së pavërtetës. Historianët maqedonas, e kam fjalën për autorët e Enciklopedisë, të cilët shtrembëruan të vërtetën historike, nuk kanë kredenciale për të mbrojtur të vërtetat politike në vendin e tyre. Sepse nuk mund të ketë dy standarde ndaj së vërtetës: të mbrosh të vërtetën politike, pasi ke falsifikuar atë historike, në shërbim të një mazhorance etnike. Për pasojë, historianët maqedonas, përsëri e kam fjalën për autorët e Enciklopedisë, nuk mund ta konsiderojnë veten mbrojtës të demokracisë liberale. Historianët shqiptarë, e kam fjalën për autorët e libërthit të historisë, nuk mund ta konsiderojnë veten kalorës të së vërtetës historike dhe shqytarë të kombit të tyre. Pasi kanë falsifikuar të vërtetën politike, në shërbim të një mazhorance politike, ata nuk kanë më kredenciale për të mbrojtur të vërtetën historike. Kush tregton prodhime skarco në vendin e tij, nuk mund të shesë prodhime cilësore në tregjet e botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›