Sejdiu takon Obamën: Faleminderit për mbështetjen
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu zhvilloi të mërkurën në mbrëmje një takim të shkurtër me Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama, gjatë një pritjeje të organizuar nga presidenti Obama në Nju Jork, në kuadër të aktiviteteve gjatë ditëve të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zyra për informim e presidentit Sejdiu njoftoi se ai e ka falënderuar presidentin Obama për mbështetjen e deritashme që SHBA i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës. Sejdiu ka shprehur edhe besimin se marrëdhëniet e veçanta mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve do të forcohen edhe më tutje, thuhet në komunikatën e zyrës për informim. Në pritje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit dhe njoftohet se Sejdiu zhvilloi takime edhe me këshilltarin e presidentit Obama për Siguri Kombëtare Xhejms Xhons, si dhe me ndihmës sekretarin e shtetit për Evropën, Filip Gordon.