E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Pavarësisë, pa adresë

Nga Express më 18 shkurt 2011 në ora 12:16

Origjinali i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës vazhdon të mbetet në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ngase ende nuk është vendosur për vendin se ku do të ekspozohet përfundimisht.

Drejtori i Muzeut Kombëtar, Arbër Hadri, mendon se ajo duhet të vendoset në një pjesë të veçantë të Kuvendit, dhe se për këtë duhet të vendosë Kryesia e Kuvendit.

Versioni origjinal i Deklaratës së Pavarësisë ndodhet në Zyrën e kryetarit të Kuvendit, përderisa ende nuk është e qartë se ku do të caktohet vendi i përhershëm për të. Sekretari i Kuvendi të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha për RTK se Kryesia e Kuvendit ende nuk ka vendosur se çfarë të bëhet me origjinalin e deklaratës së pavarësisë.

“Fati i vendosjes së deklaratës origjinale është diskutuar disa herë në Kryesinë e Kuvendit dhe për momentin jemi në pritje të përcaktimit të kushteve dhe të vendit të ekspozimit të deklaratës. Kemi mendime se deklarata duhet të jetë e vendosur në ndonjë pikë frekuentuese të Kuvendit të Kosovës p.sh në holl, por ka edhe mendime se duhet të vendoset në Muzeun e Kosovës. Tash jemi në përgatitje të anës teknike sigurimi i një tavoline të veçantë, një qelqi të veçantë që është antiplumb, antidritë, antirefleks. Për të gjitha këto do të realizohen në muajt në vijim”.

Ndërkaq drejtori i Muzeut të Kosovës, Arbër Hadri, i tha Radiotelevizionit të Kosovës se paraqitja e origjinalit të Deklaratës së Pavarësisë duhet të bëhet në formën e duhur. Sipas tij, Deklarata e ka vendin në Muzeun e Kosovës, dhe se në të ardhmen asaj duhet t’i hapet një Muze përkatës.

Derisa të vendoset për vendin e përhershëm të Deklaratës së Pavarësisë, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, thotë se ajo mund të qëndrojë edhe më tej brenda ndërtesës së Kuvendin, ngase s’ekziston asnjë mundësi që ajo të pësojë ndonjë dëmtim.
Meqë Deklarata është bërë në një letër pausi, me një qëndrueshmëri qindra vjeçare, ajo është ekspozuar dhe vendosur mes qelqeve, në një tavolinë të punuar nga druri. Deklarata është e mbrojtur me një lëng të rëndomtë, i cili në këtë moment i ofron asaj mbrojtje relativisht të mirë.

Qëndrueshmërinë e materialit në të cilin është shkruar Deklarata e Pavarësisë e vërtetoi edhe Shyqyri Nimani, piktori që ka kaligrafuar tekstin e Deklaratës.
Përderisa pritet të vendoset se ku do të qëndrojë origjinali i Deklaratës së Pavarësisë, ende nuk dihet se cilët janë autorët e saj. Personalitetet që kanë marrë pjesë në përgatitjet për shpalljen e Pavarësisë asnjëherë s’kanë treguar se kush e ka shkruar tekstin e Deklaratës së Pavarësisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›