Ekspozitë për trashëgiminë

Punimet e 16 nxënësve të shkollave të mesme nga komuna e Deçanit janë paraqitur të premten në ekspozitën e hapur në hollin e pallatit të kulturës “Jusuf Gërvalla”, e cila për temë kishte trashëgiminë kulturore.
Këtë ekspozitë me vizatimet e nxënësve e kanë parë nga afër edhe zyrtarë komunal e profesorë të shkollave, si dhe qytetarë të shumtë nga Deçani.
Kryetari i komunës, Rasim Selmanaj tha se ekspozita jep mesazhin e duhur se ruajtja e trashëgimisë kulturore ka vlera të larta për popullin shqiptar dhe duhet bërë më shumë në këtë drejtim.
Kjo ekspozitë me vizatimet e nxënësve është aktiviteti i parë që ka nisur në kundër të manifestimeve për shënimin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Punimet do të qëndrojnë të ekspozuara gjatë 10 ditëve të ardhshme, ku admiruesit do të kenë mundësi t’i shohin ato dhe njëkohësisht të njihen me tematikat dhe vlerat e tyre.