S’ka tema të këqija filmike
Regjisori boshnjak, fitues i Çmimit Oscar, Danis Tanovic, mbajti në Berlinale një ligjëratë për studentë, temë e të cilës ishte “lufta në film”. Tanovic u tha studentëve se ata mund të merren edhe me diçka që nuk e kanë përjetuar.
Nuk duhet që ta godisni murin me kokë për të kuptuar se kjo dhemb. Këtë përvojë mund ta përfitoni edhe duke lexuar libra dhe duke shikuar filma, mendon regjisori Tanovic. Prandaj, nuk duhet që me çdo kusht ta keni përjetuar luftën, për ta prezantuar atë në “pëlhurë” ose libër. Më e rëndësishmja është që gjatë atij prezantimi fillimisht t’i përmbaheni etikës, e pastaj edhe estetikës, porositë Tanovic.
“Nëse dikush dëshiron të mi tregojë SS ushtarët gjermanë si njerëz të mrekullueshëm, të cilët vrasin çifutë sepse këta e kanë merituar, atëherë nuk e di se për çka flas. Nuk mund të hyjë në çfarëdo debati për estetikën e atij filmi, nëse postulatet e tij estetike janë vendosur në mënyrë të gabuar”, thekson ai.
Lufta nuk është temë negative
Tanovic i kundërshton pohimet se lufta është temë negative. Ai thotë se nuk ekzistojnë tema negative apo pozitive, por se temat ndahen në ato që punohen më lehtë apo më vështirë, dhe në ato që ju interesojnë më shumë, apo më pak. Tanovic konsideron se të gjitha temat parimisht kanë të bëjnë me një gjë: ose dikush e do dikë, ose dikush nuk e do dikë.
“Nuk mund t’ju mësojë askush që të bëni regji, të aktroni ose të zgjidhni temën. Një indian i ri më pyeti këtu nëse është me rëndësi që të shfaq mendimin e vet. Natyrisht, kjo është e vetmja gjë që më intereson, prandaj edhe merreni me art – që ta thoni mendimin tuaj. Nuk munden të gjithë njerëzit të interesohen për tema të njëjta, dhe shyqyr zotit që është kështu. Nëse jeni të ri, i keni 18 vjet dhe jetoni, për shembull, në Sarajevë, atëherë punoni tema që janë me rëndësi për juve. Por, mos u merrni me luftën në Çad, nëse ajo s’ju intereson”.
Për gjeneratën time, lufta do të jetë temë e përhershme
Në pyetjen nëse dikush që vjen nga ndonjë shtet ku ka pasur luftë mund të merret edhe me tema tjera, Tanovic u përgjigj:
“Kjo është çështje e përzgjedhjes personale. Jam i sigurt se unë do të bëjë ende filma për luftën. Njeriu kurë nuk e di se çka i përgatit jeta, megjithëse kjo është një fshehtësi e madhe për të gjithë ne. Besoj se lufta do të jetë temë e përhershme për gjeneratën time, sepse ajo ishte diçka që na e ndryshoi heton, por edhe që na formësoi”.
Por, sa e përfaqëson filmi, si art, Bosnje e Hercegovinën?
“Mendoj se shumë më tepër se të gjithë tjerët që mundohen të bëjnë diçka. Pushteti jonë, i tillë çfarë është, por edhe njerëzit në atë shtet, nuk i kuptojnë rëndësinë dhe vlerat e artit filmik. Por, nejse, do ta ndërrojmë edhe këtë gjë”, thekson Tanovic.
Ndryshe, Danis Tanovic, bashkë me familjen, jeton në Belgjikë, ndërkaq ligjëron në Akademinë e Filmit në Sarajevë. Filmi i tij më i rëndësishëm është “Nicija Zemlja” (Shteti i Askujt), për të cilin fitoi Palën e Artë, në vitin 2001, dhe Çmimin Oscar, në vitin 2002. Në ndërkohë Tanovic ka xhiruar edhe gjashtë filma të tjerë, i fundit është “Cirkus Kolumbija” (Cirku Kolumbia). Aktualisht, siç tregon, po punon në 16 projekte të ndryshme.