E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Ramës “Anëtarësimi në PES, burim energjie për të vazhduar betejën”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përshëndetur pranimin e kësaj partie si anëtare e Kongresit të Partive Evropiane Socialiste. Partia Socialiste u pranua anëtare e PES, ditën e festës së demokratëve për rrëzimin e komunizmit. Duke e cilësuar si “ditë historike” 8 Dhjetorin, Rama pohoi se në këtë mënyrë PS është integruar në një realitet të ri evropian. Ai shtoi se ky anëtarësim do të shërbejë si një burim i ri energjie për betejën për demokraci ku socialistët janë angazhuar aktualisht, duke nënkuptuar kështu se do të vazhdojnë betejën për transparencën e zgjedhjeve. “Le të shërbejë kjo arritje e bukur si një burim i ri energjie dhe vendosmërie në betejën e madhe për demokraci, ku Partia Socialiste është angazhuar aktualisht me të gjitha forcat dhe ku, me patjetër, do të arrijë qëllimin e saj për ti dhënë Shqipërisë, më në fund, mundësinë të zhvillojë zgjedhje vërtet të lira e vërtet të ndershme të standardeve evropiane, për një Shqipëri ku demokracia funksionon, ku shteti i së drejtës është një realitet për të gjithë dhe ku ekonomia zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme”, - tha ai. Rama falënderoi deputetët për qëndrimin e mbajtur, por dhe çdo anëtar të familjes socialiste. Ai paralajmëroi dhe organizimin e një “feste brezash” në janar të 2010. Kreu socialist tha se 19 vite pas pluralizmit vendi vazhdon të mbetet i varfër. Kreu i selisë rozë ka komentuar më tej dhe mitingun festiv në sheshin “Skënderbej”, dy ditë më parë, duke e konsideruat atë si vijueshmëri e urrejtjes së kryeministrit Berisha. Sipas Ramës, partia e dalë nga lëvizja që shembi regjimin komunist do ti mblidhte njerëzit, me hir e me pahir, për të festuar nën tingujt e gjuhës së urrejtjes ndaj PS.

Festimi

Një ceremoni festive në lokalin pranë selisë ishte mënyra e zgjedhur nga Kryetari i Partisë Socialiste për deputetët e grupit parlamentar, por edhe kryetarë të PS nga degë të ndryshme të vendit me rastin e anëtarësimit të PSSH në Partinë e Socialistëve Evropianë. Rama, gjatë fjalës së tij, e quajti një moment historik për Partinë Socialistë dhe për të gjithë anëtarët e saj, socialistë e progresistë, pranimin e forcës politike që drejton në gjirin e PSE në kongresin e Pragës. Edi Rama theksoi se ky është një ogur i mirë, që erdhi pikërisht në një datë të shënuar 19 vjet pas daljes nga bunkeri komunist. “Partia jonë, me unanimitet të plotë, u pranua nga Kongresi i PES-it si anëtare me të drejtë vote në Partinë e Socialistëve dhe progresistëve evropianë. Sot ne kemi përfaqësuesin tonë edhe në presidencën e kësaj force të madhe të politikës evropiane”, - tha ai, ndërsa paralajmëroi dhe një festë më të madhe në janar. “Kemi mbërritur një stacion me rëndësi strategjike për të nesërmen, jemi integruar në një realitet të ri evropian dhe na takon të festojmë, me të gjithë ata që e sollën Partinë Socialiste të Shqipërisë deri këtu, në një festë brezash që do ta bëjmë në ditët e para të vitit të ardhshëm, me praninë e gëzueshme simbolike këtu në Tiranë të miqve të vjetër e partnerëve të rinj të Partisë Socialiste Evropiane”, - tha Rama. Ai e konsideroi si një ogur të mirë futjen e PS-së në PES më 8 dhjetor, 19 vjet pas 8 Dhjetorit që lëvizi derën e bunkerit ku Shqipëria qëndroi e ndryrë dhe krejt e izoluar nga Evropa e bota për thuajse gjysmë shekulli. Megjithatë, shtoi Rama, pas 19 vitesh vendi vazhdon të jetë ende i varfër. “Ashtu sikundër askush nuk mund ta parafytyronte atëherë se më 8 dhjetor të vitit 2009, pikërisht partia e dalë prej lëvizjes që shembi bunkerin komunist, do ti mblidhte njerëzit në sheshin “Skënderbej”, me hir e me pahir, për të festuar nën tingujt e gjuhës së urrejtjes ndaj opozitës”, - tha ai duke kritikuar në këtë mënyrë mitingun e mazhorancës më 8 dhjetor.

Ky lajm është publikuar: 11/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›