E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëndrimi i Presidentit Topi: “Dialogu, nuk mund të ndërhyj tek partitë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Presidenti i vendit, Bamir Topi, inkurajon dialogun mes mazhorancës dhe opozitës, por nga ana tjetër ka pohuar se nuk mund të ndërhyjë në çështjet e tyre. Duke folur në një konferencë për shtyp nga selia e Presidencës, Topi ka theksuar se nuk mund të tejkalojë kompetencat që i jep pozicioni i tij si kryetar shteti. Me tej Kreu i Shtetit e ka vënë theksin tek rënia drastike e përfaqësimit të partive politike në Parlament, gjë që sipas tij, po të ishte ndryshe, do të kishte një efekt më pozitiv. Ai ka shtuar se dëshiron që të rritet bashkëpunimi politik, por kjo varet nga vullneti i partive.

Deklarata

Kreu i Shtetit ka komentuar përsëri dje debatin politik pozitë- opozitë, ndërsa ka ftuar palët të gjejnë gjuhën e përbashkët. Por ai ka vënë theksin dhe tek ndryshimet e ligjit të ri elektoral që kanë reduktuar numrin e partive në Kuvend. “Dikur mbi bazën e ligjit të vjetër elektoral kishte një numër të konsiderueshëm partish parlamentare. Ligji i ri elektoral, sikurse ju e keni parë, ka imponuar një reduktim të ndjeshëm të partive politike parlamentare”, - tha ai. Për sa i përket pozicionit të tij në këtë situatë, Topi theksoi se do të vazhdojë të apelojë për dialog, por pa ndërhyrë tek subjektet politike. “Në respekt të pozicionit të Presidentit, i cili është një pozicion kushtetues, shumë institucional, jepen apelet e nevojshme, të domosdoshme në kufirin apo në limitin e mosinterferencës në vullnetet politike të partive. Kjo është shumë e rëndësishme. Këto apele i kam bërë herë pas here, smund të them që kanë qenë frekuente, por janë bërë në kohën dhe në vendin e duhur. Ajo që mund të bëjë Presidenti është të inkurajojë dialogun politik, që është një parim i qëndrueshëm e i konsoliduar në vendet demokratike”, - tha ai. Kreu i Shtetit pohoi se ai po ashtu, si çdo qytetar shqiptar, uron që të rritet niveli i komunikimit politik dhe dialogut politik. “Kjo është në mënyrë ekskluzive në vullnetin e partive”, - tha ai, ndërsa shtoi se jo pa qëllim iu referua çështjes së numrit të partive parlamentare, sepse përkthehej në tryezat e partive politike parlamentare. “Në këtë ambient, në tetor, nëntor, në mos gaboj të vitit 2007, është zhvilluar një tryezë e gjerë e partive politike parlamentare në funksion të ligjit të ri elektoral dhe ju e mbani mend. Sot, pa dyshim, ka aktorë shumë të rëndësishëm të jetës politike, por aktorët në Parlament natyrisht që janë reduktuar, që do të thotë që vullnetet politike mund të konsiderohen tani në pjesën e mazhorancës dhe të opozitës në Parlament”, - pohoi ai. Topi ripërsëriti se respekton në mënyrë të qartë vullnetet e partive politike. “I inkurajoj për dialogun. Natyrisht që nuk mund të interferoj. Besoj që klasa politike shqiptare sot në vitin 2009 është koshiente për të zhvilluar dialogun. Edhe një herë e inkurajoj këtë dialog në interes të Shqipërisë, të qëllimeve madhore të saj për të pasur një progres dhe sukses imediat në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është normale, madje është esenciale për jetën normale të institucioneve të një vendi demokratik”, - përfundoi Topi.

"Kufijtë", Presidenti: Kam besim në institucione, unë vendos me dekret”

Presidenti Bamir Topi ka theksuar angazhimin e tij të plotë për transparencën e marrëveshjes detare me Greqinë, ndërsa shpreh besimin ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke deklaruar se gjithçka do të jetë në mbrojtje të interesave kombëtare të vendit. I pyetur për këtë çështje gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij turk, Topi deklaroi se nuk mund të ndërhyjë gjatë shqyrtimit të procesit nga Kushtetuesja dhe se Presidenti vendos vetëm me dekret, pasi gjithçka të kalojë nga Kuvendi. “Kam shprehur të gjithë angazhimin tim institucional për transparencë lidhur me këtë proces. Së dyti, kam thënë që duhet të respektojmë institucionet e Shqipërisë. Nuk jam shprehur gjatë procesit, sepse Presidenti, në momentin që marrëveshja vjen nga Parlamenti, shprehet me dekret. Duhet të pres vendimin e Gjykatës dhe do të shprehem në momentin që kam aksesin për tu shprehur. Nuk mund të interferoj në këtë proces që do të vazhdojë të realizohet me korrektesë në mbrojtjen e interesave kombëtare”, - theksoi presidenti Topi.

Ky lajm është publikuar: 11/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›