E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Gyl: “Të forcojmë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve”

Autori i Lajmit: Redaksia
Turqia dhe Shqipëria kanë një miqësi të konsoliduar në shekuj. Ky është pohimi i bërë dje nga presidenti shqiptar, Bamir Topi, dhe presidenti turk, Abdullah Gyl, gjatë një konference të përbashkët për shtyp. “Vizita e presidentit Gul zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, e cila është projektuar në mënyrë të qartë drejt rrugës së integrimit evropian. Klima e shkëlqyer e marrëdhënieve politike, patjetër që ka imponuar në vite edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, si dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri”, - tha presidenti Topi. Kreu i Shtetit theksoi se mes dy vendeve ka marrëveshje të shumta në funksion të zhvillimit ekonomik, por kërkoi që bashkëpunimi ekonomik të intensifikohet më tej, duke iu afruar nivelit të marrëdhënieve të shkëlqyera politike mes dy vendeve. “Kompanitë turke janë prezente prej vitesh në Shqipëri dhe kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Kompanitë turke janë sot të pranishme në Shqipëri në fushën minerare, të infrastrukturës, telekomunikacionit, turizmit, sistemit bankar etj”, - tha Presidenti. Topi ka falënderuar më tej homologun turk për pritjen që i bënë në vendin e tij si dhe për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha dhe në mënyrë të veçantë në fushën e integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në NATO. “Sigurisht që po të shohim profilin e vizitave, do të konstatojmë që janë realizuar vizita të të gjitha niveleve dhe në mënyrë frekuente. Por vizita e presidentit Gyl ditën e sotme këtu në Tiranë koincidon me një moment shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, e cila është projektuar në mënyrë të qartë drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian”, - tha ai. Ndërsa Gyl ka theksuar se Turqia gjithmonë e shikon Shqipërinë së një partner të fuqishëm në rajon dhe kështu do ta shikojë dhe në të ardhmen. “Siç e theksoi dhe miku im, presidenti Topi, në takimin që patëm ne diskutuam çështje të ndryshme dypalëshe dhe rajonale. Diskutuam çështje të ndryshme politike. Diskutuam për qëndrimin tonë të përbashkët qoftë në kuadrin e NATO-s, qoftë dhe në Afganistan dhe për çështje të tjera të politikës globale dhe për të gjitha këto çështje ne ndamë të njëjtat mendime. Ashtu sikundër Shqipëria do të rrisë numrin e ushtarëve të saj në Afganistan kohët e fundit edhe Turqia, përafërsisht nga 700 ushtarë do ta rrisë numrin e tyre në 1700 ushtarë në Afganistan. Ne këtë e quajmë si një kontribut për forcimin e paqes botërore. Ne jemi të kënaqur për bashkëpunimin që kemi me Shqipërinë edhe në Afganistan”, - tha ai.
Në prani të dy presidentëve dhe në vëmendjen e mediave të pranishme u nënshkrua edhe Protokolli i Bashkëpunimit mes Ministrive të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Turqisë. Për palën shqiptare firmosi zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, zonja Edith Harxhi, dhe për palën turke firmosi nënsekretari i Përgjithshëm i Shtetit të Republikës së Turqisë, zoti Selim Jenel. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, presidenti Gyl do të përshëndesë sot dhe punimet e Forumit të Biznesit Shqiptaro-Turk. Gjithashtu, axhenda e tij përfshin dhe një vizitë në kolegjin turk "Mehmet Akif", si dhe pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes së qendrës kulturore "Yunus Emre". Po dje, Gyl ka takuar dhe kryebashkiakun Edi Rama, i cili i ka dhuruar “Çelësin e qytetit”.

Ky lajm është publikuar: 11/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›