Kongresi i palës tjetër konfirmon Ndokën kryetar të PDK-së
Vazhdon çoroditja në kampin demokristian. Pas shpalljes së kreut të ri të PDK-së, Anton Gurakuqi, në kongresin e jashtëzakonshëm, një tjetër kongres i PDK-së ka konfirmuar Nard Ndokën si kryetar të saj. Një parti me dy kryetar është duke turbulluar mazhorancën, e cila nuk di se cilin të njohë zyrtarisht si kryetar të demokristianëve, Gurakuqin apo Ndokën. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka konfirmuar se do të dërgojë të hënën në Kryeministri kërkesën për shkarkimin e dy zv/ministrave të tij. Nga ana tjetër, pas depozitimit të kërkesës për largimin e Nard Ndokës në tavolinën e Kryeministrit Berisha, Anton Gurakuqi i është drejtuar gjykatës, ku i ka kërkuar që të njohë kongresin e PDK-së ku ai është shpallur kryetar. Nga ana tjetër, një luftë e thellë mes PD dhe PDK ka nisur brenda mazhorancës. Vetëm një vit "jetë" ka pasur prefekti i Qarkut të Elbasanit. Rezart Kovaçi, përfaqësues i PDK dhe perfekt i Qarkut të Elbasanit, është shkarkuar zyrtarisht dje dhe në vend të tij është emëruar Shefqet Deliallisi. Zëvendësministri për pushtetin lokal, Ferdinant Poni ka bërë komunikimin zyrtar të vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit të Brendshëm.