Krijohet Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike kanë lançuar dje krijimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës. Partitë politike që marrin pjesë janë: LSI, PSD, PAD, PDS, LZHK dhe Lëvizja e Petro Koçit. Në komitet janë përfshirë edhe analistë të mirënjohur, si Artur Zheji, Andrea Stefani, Henri Çili dhe Blendi Kajsiu dhe të tjerë veprimtarë të shoqërisë civile. "Edhe ndryshimi i beftë i Kushtetutës është një korrupsion në këtë mbretëri të korrupsionit. Ai është i lidhur ngushtë me presionet dhe shantazhet që pushtetit autoritarist i Berishës ushtron mbi politikën dhe Kuvendin për të grabitur edhe më shumë pushtet, për të akumuluar edhe më shumë pasuri korruptive", vlerësoi Andrea Stefani. Sipas tij, me ndryshimet e bëra Kushtetutës, i hiqet zemra e saj dhe i transplantohet një zemër tjetër, që imponon një puls autoritarist mbi gjithë sistemin. "Duam që të drejtën për t‘u shprehur t‘ia rikthejmë drejtpërsëdrejti opinionit publik dhe popullit. Referendumi është një nocion politik dhe një shprehje politike i demokracisë direkte", vlerësoi Artur Zheji. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehu që shpallet ose bëhet publik një forum kaq i rëndësishëm, kaq i gjerë dhe që jam i bindur që do të shndërrohet vërtet në një front demokratik dhe vërtet të tillë, i cili do të garantojë vërtet mundësinë që sovrani të shprehet për sovranitetin e vet. "Për sa i përket pjesëmarrjes apo jo të zotit Nano, deri tani nuk ka njoftime dhe nuk ka kontakte në lidhje me këtë gjë. Kemi mjaft lista, sepse firmëtarët janë aq shumë, sa do ta na duhet të shtypim mjaft lista për ta", u shpreh Artur Zheji.