E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet për zvarritje dosjesh prokurori i Krujës

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krujës, Bujar Çici. Disa ditë më parë, Këshilli i Prokurorisë konstatoi se ai kishte zvarritur dhjetëra dosje. Nisur nga të dhënat e mësipërme, Kryeprokurorja Ina Rama propozoi largimin e tij, i cili është dekretuar pasditen e djeshme nga Presidenti Topi. Historia e prokurorit të Krujës daton disa muaj më parë, në momentin kur Zyra e Inspektimit pranë akuzës qendrore kishte kryer disa kontrolle në vendin e tij të punës. Nga verifikimet e rastit rezultoi se disa dosje kishin zvarritje, duke sjellë pasoja për të pandehurit. Një gjë e tillë hodhi dyshimin se zvarritja e dosjeve ishte kryer qëllimisht. Për këtë arsye Këshilli i Prokurorisë votoi pro shkarkimit të tij, ndërsa emri i Bujar Çiçit iu dorëzua Presidentit për shkarkim. Burime nga akuza qendrore thanë dje se ndaj prokurorit të shkarkuar tashmë ishte rekomanduar masë disiplinore nga Avokati i Popullit disa vite më parë. Sipas burimeve, prokurori nuk kishte marrë masë ndaj punonjësve të policisë, të cilët kishin keqtrajtuar një të shoqëruar në ambientet e policisë. Me gjithë ankesën e të pandehurve, Bujar Çiçi nuk ka preferuar të marrë masa ndaj uniformave blu, ndërsa ka marrë të pandehur të keqtrajtuarin për "kundërshtim të punonjësve të policisë". Megjithatë, nga verifikimet e kryera rezultoi se prokurori Bujar Çiçi nuk kishte gisht në këtë ngjarje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›