E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat speciale plagosin të kërkuarin gjatë arrestimit

Forcat speciale të policisë kanë bërë të mundur dje arrestimin e një të kërkuari për vrasje, i cili ka mbetur i plagosur gjatë tentativës së tij për t‘u arratisur. Feim Gjuni, i dënuar me 19 vjet burg, fshihej prej kohësh në Babrru të Tiranës, pasi ishte larguar nga vendi i lindjes, Kukësi. Sipas policisë së kryeqytetit, dje, në orët e para të mëngjesit, përfundoi operacioni policor për kapjen e Feim Gjuni, i kërkuar prej 8 vjetësh. Në këtë operacion u angazhuan Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, duke bashkëpunuar dhe koordinuar punën për informacionin e marrë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës. Feim Binjak Gjuni, 33 vjeç, lindur e banues në Kalimash të Rrethit të Kukësit, është dënuar me 19 heqje lirie, me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Shkodër, që është dhënë më datë 29 maj të vitit 2001. Ai akuzohet për vrasjen me armë zjarri të Hasan Trunit, ngjarje kjo e ndodhur më datë 1 tetor të vitit 2000, në fshatin Kalimash. Operacioni për kapjen e tij u zhvillua në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në vendin e quajtur Kodra e Kuqe, Babrru, në banesën dykatëshe të vëllezërve të autorit të krimit, ku fshihej prej kohësh. Gjatë ndërhyrjes policore, ai ka tentuar t‘i largohet rrethimit policor. Pas thirrjes së bërë për t‘u dorëzuar, punonjësit e policisë kanë hapur zjarr, me qëllim parandalimin e largimit të autorit të krimit. Si pasojë e hapjes së zjarrit, ai është plagosur në këmbën e majtë. Aktualisht, i dënuari ndodhet i siguruar me forcat policore në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për dhënien e ndihmës mjekësore. Policia tha se përdorimi i armëve të zjarrit nga forcat pjesëmarrëse në këtë operacion është mbështetur ligjërisht në nenin 3, pika 1, germa b, paragrafi nr. 3 i Ligjit Nr. 8290 datë 24 shkurt 1998. Në dokumentet e gjyqit të vitit 2001, ku është gjykuar në mungesë Feim Gjuni, thuhet se ai bashkë me një shok i kishin zënë pritë viktimës në vendin e quajtur "Laku i varreve", pasi mendohej se vëllai i viktimës me emrin Sami, kishte vrarë në Greqi disa muaj para ngjarjes vëllain e Femiut, Nuredinin 23-vjeçar, duke e therur me thikë. Në pamundësi për të arritur vrasësin e vëllait, Feimi zgjedh të vrasë të vëllain e "hasmit", që ndodhej në fshat. Në arsyetimin e vendimit dhe renditjen e motiveve, gjykata ka pasur parasysh faktin që vetë Gjuni, pas aktit të vrasjes së Trunit, kishte dërguar "fjalë" në shtëpinë e këtij të fundit për krimin e kryer. "Shkoni dhe merreni trupin e djalit tuaj, mos humbni mendjen, ua kam vrarë për të marrë gjakun e vëllait", mësohet të ketë thënë ai. E gjitha është kryer sipas normave të vjetra të kanunit, ku vrasësi duhet të tregojë krimin dhe madje, në raste të caktuara, edhe të marrë pjesë në varrim. Pas kësaj, Gjuni ishte larguar me familjen nga Kalimashi dhe ishte vendosur në Tiranë, duke iu shmangur ballafaqimit me policinë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›