Deklarata fyese, pezullohet me katër ndeshje Ilir Gjyla
Deklaratat kundër gjyqtarëve dhe zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit i kanë kushtuar shtrenjtë trajnerit të Lushnjës, Ilir Gjyla. Në mbledhjen e djeshme, Komisioni i Disiplinës në institucionin që drejton sportin më popullor në vend, e ka pezulluar teknikun e "lagunarëve" me katër ndeshje. Madje, Gjyla u kërcënua se në rast të përsëritjes së deklaratave fyese, ai rrezikon të përjashtohet. "Komisioni i Disiplinës vendosi ta pezullojë me katër ndeshje nga të gjitha aktivitetet, si edhe ta gjobisë me 100 mijë lekë të reja trajnerin Ilir Gjyla për deklarime fyese në media ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të federatës", citohej në vendim. "Trajneri Gjyla paralajmërohet se nëse e përsërit këtë shkelje do të merren masa, deri në përjashtim nga pjesëmarrja në aktivitetet sportive". Për fyerje dhe goditje të asistentit të gjyqtarit, dy muaj është pezulluar edhe zyrtari i Partizanit, Genc Tomorri.