E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata personale e të ardhurave per cdo individ

09/12/2010  Hyn në fuqi vendimi, ja çfarë duhet të deklarojmë më 30 prill 2011

Kush përjashtohet, si plotësohet deklarata dhe sanksionet në rast mosplotësimi

Duke nisur nga 30 prilli 2012 qytetarët do të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre. Vendimi ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe parashikon deklarimin e të ardhurave dhe shpenzimeve që ata kanë kryer gjatë 2011-ës. Ata që duhet të plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, janë të gjithë individët që marrin një pagë apo të vetëpunësuarit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Përjashtohen vetëm ata individë që nuk fitojnë më shumë se 200 mijë lekë në vit, të vetëpunësuarit që qarkullojnë deri në 2 milionë lekë në vit dhe pensionistët, apo ata që kanë vetëm një pagë dhe për të cilat punëdhënësi i ka paguar taksat në burim, apo të ardhura nga vetëpunësimi për të cilat i kanë paguar taksat. Deklaratën mund ta plotësojnë edhe ata persona që duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, por nuk kanë detyrim ligjor. “Çdo deklaratë vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit”, - theksohet në ligj.

Deklarata

Ndryshimi i bërë në ligjin për tatimin mbi të ardhurat parashikon shtimin e 10 pikave pas nenit 13, me të dhënat që duhet të përmbajë deklarata vjetore e të ardhurave. Qytetarët duhet të deklarojnë të ardhurat bruto, shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe tatimet e paguara. Në të dhënat për të ardhurat bruto përfshihen paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët dhe fitimi nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit të vogël, që rezulton nga Deklarata e të Ardhurave Personale të Biznesit të Vogël për të vetëpunësuarit, si dhe të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit, të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit, të ardhurat bruto nga interesa bankare, fitimi kapital neto, i krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme, shuma bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit, të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, fitimi kapital nga dhurimi, të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të ardhura bruto të tjera. “Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme. Për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme për fëmijët dhe për personat në kujdestari, pjesa e deklaratës, plotësohet vetëm nga kryefamiljari”, - theksohet në ligj. Mënyra e plotësimit nga kryefamiljari e deklaratës për pjesën e shpenzimeve të zbritshme do të rregullohet me udhëzim të ministrit të Financave.

Tatimi për tu paguar

Qytetarët do të paguajnë tatim mbi diferencën midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme. Ajo tatohet me 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore. “Nëse diferenca është pozitive, deklaruesi, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit. Nëse diferenca është negative, administrata tatimore ia kthen deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose, me pëlqim të deklaruesit, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues”, - theksohet në ligj. Deklarata dorëzohet në Drejtorinë Tatimore rajonale më të afërt me vendbanimin e tatimpaguesit, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike. Kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme, kryhet brenda datës 31 shtator të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është hartuar deklarata.

Shpenzimet e zbritshme

Do të njihen si shpenzime të zbrishme, sipas këtij ligji, pjesa e shpenzimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe kontributet vullnetare të pensioneve, shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Ata që kanë të ardhura vjetore prej të paktën 800 000 lekësh nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme. Po kështu edhe personat jorezidentë.

Mbajtja e dokumentacionit

Për çdo të ardhur dhe shpenzim, që jepet në deklaratë tatimpaguesi mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Në rastin kur deklarata dorëzohet elektronikisht, dorazi apo me postë, skanime/fotokopje e këtyre dokumenteve i bashkëlidhen deklaratës vjetore të të ardhurave. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe vihet në dispozicion të administratës tatimore, kur kërkohet prej saj. Ministri i Financave, brenda 6 muajve nxjerr udhëzim për zbatimin e këtij ligji.

Gabimet

Në rast se deklarata tatimore vjetore e të ardhurave nuk është plotësuar në kohë apo ka gabime administrata tatimore zbaton sanksione administrative, sipas ligjit të procedurave tatimore. Kur tatimpaguesi jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ky ligj për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal. Detyrimi i parë për deklarimin e të ardhurave vjetore, lind në vitin 2012. Brenda datës 30 prill dorëzohet deklarimi vjetor i të ardhurave për vitin 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›