E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohet me çmimin “Migjeni” në 70-vjetorin e lindjes

13/12/2010  Shkrimtari Nikolla Spathari

DURRES- Bashkia e Durrësit, intelektualë, poetë e aktorë të qytetit bregdetar janë bashkuar për të uruar në 70-vjetorin e lindjes shkrimtarin, publicistin e studiuesin Nikolla Spathari. Nismës së bashkisë dhe të shoqatës “Durrësi”, të cilat e kanë vlerësuar me titullin “Mirënjohje e qytetit”, i është bashkëngjitur lidhja e shkrimtarëve, e cila i ka dhënë çmimin “Migjeni”. Vetëm pak kohë më parë në një nga studimet kritike për veprën e Spatharit, profesor Gjovalin Shkurtaj e ka quajtur atë “Një Fishtë të dytë” duke dëshmuar kësisoj ndihmesën e veçantë në fushën e letërsisë, publicistikës dhe studimit të letrave të Nikolla Spatharit. Në Durrës për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni festive për shkrimtarin e dashur për lexuesit e vegjël e të rritur kanë qenë poet e publicistë nga Tirana, Elbasani, Shkodra, Korça etj. Artisti i Popullit Gjergj Vlashi në cilësinë e kryetarit të jurisë së shkrimtarëve i ka dhënë titullin “Migjeni” duke e shoqëruar me vlerësime për të gjithë jetën krijuese 45-vjeçare të Nikolla Spatharit. Shumë shprehëse ka qenë dhurimi në këtë përvjetor lindje i një gravure të punuar nga skulptori i njohur Idriz balani në të cilën ishte skalitur edhe portreti i poetit, prozatorit, publicistit e studiuesit Spathari.

Jeta

Nikolla Spathari u lind në Malësi të Madhe më 5. 12. 1940 ku kreu edhe mësimet e para. Fare i vogël zbriti në qytetin e Shkodrës dhe bëri shkollën e mesme pedagogjike shkollën e lartë e kreu në Tiranë ku edhe nisi jeta krijuese për të mos iu ndarë më.

Spathari ka filluar të botojë në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar dhe vetëm rreth dhjetë vite më vonë do të pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për shkak të rrjedhave politike të kohës dhe qëndrimeve të tij në kahjen e kundërt me shumë ide e qëndrime të rrymës politike të kohës Nikolla Spatharit do t’i hiqet e drejta e botimit dy herë, në vitin 1971 dhe në vitin 1975. Për dhjetëra vjet brodhi në fshatrat e Malësisë ku punoi me këmbëngulje, duke mos u shkëputur nga krijimtaria. Shkrimtari e studiuesi ushtron aktivitetin krijues në qytetin bregdetar të Durrësit. Veprat e tij janë: Një shtyllë elektriku ( Poemë për fëmijë), Një ditë e largët dimri ( Tregime për fëmijë), Kur isha ministër ( Tregime humoristike), Drejt Evropës me gomar të Nastradinit (Publicistikë), Malësia e Madhe siç e njoha unë ( Monografi ), Përtej shiut ( Poezi ), Djemtë e dikurshëm ( Roman ), Përkohësisht e bukur ( Poezi ), Të shtyhet mëngjesi (Poezi ), T’lumtë i them kush e ka gjetur (Gjë e gjëza ), Iku nëna u bë kështjellë (Poema për fëmijë), Një javë në përrallë ( Poema për fëmijë). Nikolla Spathari ka qenë themelues dhe kryeredaktor i gazetës “BESA”, gazetë e shoqatës “Kosova”, e cila doli në Shkodër nga viti 1991 deri në vitin 1993; ka themeluar dhe drejtuar gazetën “PENA” në Durrës dhe sot është drejtor i revistës “VEGIME LETRARE”. Aktualisht ka në dorë një sërë dorëshkrimesh që presin të botohen dhe që janë studime, tufë me poezi, tregime humoristike, monografi dhe shkrime publicistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›