E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përveç virozave, situata shëndetësore e qetë

10/12/2010  Pagesë shtesë për personelin mjekësor që po shërben në zonat e prekura nga përmbytja

Stafi i ISKSH-së kontribut financiar për banorët, shërbimet 24 orë deri në fund të emergjencës

Ndonëse nuk ka kaluar ende situata e emergjencës në zonat e përmbytura të Shkodrës, gjendja shëndetësore e banorëve rezulton të jetë e qëndrueshme. Situata në terren, sikurse raportojnë mjekët, paraqitet e qetë dhe përveç disa rasteve të virozave të stinës, bluzat e bardha konfirmojnë se nuk ka pasur komplikacione të rënda te banorët. Kujdes i veçantë është treguar ndaj moshave të treta, e veçanërisht ndaj banorëve që vuajnë nga sëmundjet kronike, të cilët po vëzhgohen në mënyrë të rreptë nga stafet mjekësore, për të shmangur shfaqjen e komplikacioneve për shkak të situatës së krijuar. Gjithashtu bëhet e ditur se pranë qendrave ku janë strehuar banorët e larguar nga zonat e rrezikuara janë dërguar të gjitha pajisjet mjekësore të urgjencës si dhe barnat mjekësore. Aktualisht ka përfunduar edhe pajisja e qendrave me barnat e urgjencës, po ashtu edhe antibiotikët. Deri më tani raportohet të mos ketë shpërthime epidemike, por pavarësisht kësaj, shërbimi shëndetësor për të gjithë popullatën do të vijojë të qëndrojë në gjendje gatishmërie. Por specialistët e shëndetit publik janë shpërndarë në terren për të bërë vëzhgimet përkatëse mbi evidentimin e menjëhershëm të rasteve problematike që mund të lindin. Ndërsa për stafin mjekësor që po shërben me orar të zgjatur në këto zona do të ketë edhe stimulim financiar shtesë.

Situata

Sipas urdhrit të dhënë, shërbimi shëndetësor në qendrat e evakuimit në Shkodër, por edhe në komunat e përmbytura ku ka ende banorë që qëndrojnë në shtëpitë e tyre, do të vijojë të jetë 24 orë deri në fund të emergjencës. Stafet mjekësore të angazhuara në këtë situatë emergjente do të marrin pagesë shtesë për orarin e zgjatur të punës. Kjo është konfirmuar nga vetë drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, Elvana Hana, e cila gjatë ditës së djeshme ka vizituar nga afër qendrat e pritjes së të evakuuarve në këtë qark. Sipas Hanës, mjekët që po japin shërbim në çdo kohë do të stimulohen financiarisht nga instituti për shërbimin e kryer. “Mjekët e qendrave shëndetësore do të vijojnë të jenë në shërbim 24 orë të banorëve të zonave të përmbytura përmes grafikut, tashmë të përcaktuar”, ka deklaruar Hana. Sipas saj, personeli shëndetësor dhe ai ndihmës, i cili shërben në zonat e prekura, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore të ofrojnë çdo ndihmë dhe të gjejë çdo mundësi për të qenë sa më pranë personave të prekur nga kjo fatkeqësi. Megjithatë, për të gjitha rastet problematike që do të shfaqen në gjendje gatishmërie do të qëndrojë edhe personeli mjekësor i spitaleve të kryeqytetit, si dhe punonjësit e tjerë në spitalet e mëdha të rretheve të tjera. Tashmë Ministria e Shëndetësisë ka marrë edhe mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila do të asistojë në dhënien e ndihmës së saj për kapërcimin e kësaj situate.

Ndihmat

Pjesë e fushatës së ndihmës për banorët e zonave të përmbytura do të jenë edhe stafet mjekësore. Siç pohohet nga ky institucion, edhe personeli shëndetësor është organizuar në ofrimin e kontributit financiar që do të shkojë në ndihmë të familjeve të lënduara nga fatkeqësia e ndodhur. Sipas burimeve zyrtare të këtij instituti, bëhet e ditur se për tu ardhur në ndihmë zonave të përmbytura, i gjithë stafi i ISKSH-së në Tiranë dhe në rrethe ka kontribuar financiarisht në një shumë të konsiderueshme, e cila tashmë është derdhur në llogarinë bankare të vënë në dispozicion nga qeveria për këtë situatë emergjente. Ndërkohë që fushata për mbledhjen e ndihmave që do të shkojnë në dobi të këtyre personave do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Vëzhgimet për kategoritë më në nevojë

Ksera: Për familjet e prekura trajtim i

veçantë me ndihmë ekonomike

Ndihmat për familjet në zonat e përmbytura të Shkodrës do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, prioritet do të jenë kategoritë më në nevojë. Përkundrejt situatës së krijuar, kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera, ka pohuar se të gjitha familjeve të prekura do tu vijë në ndihmë skema e ndihmës ekomomike, e cila do të ofrojë trajtim të veçantë për ta. Kështu, sipas ministrit, të gjitha familjet që janë pjesë tashmë e kësaj skeme do të kenë një trajtim më të veçantë financiar. Nga ana tjetër, në këtë program të ndihmës sociale do të përfshihen edhe të tjera familje, të cilat nuk kanë qenë pjesë e saj. Ministri ka pohuar se me një vendim të posaçëm është vendosur që familjet e dëmtuara nga përmbytjet në disa komuna të Shkodrës të futen menjëherë në skemën e ndihmës ekonomike si familje në nevojë. Dy javë pas përmbytjeve të mëdha në qarkun e Shkodrës, dikasteri i Punës ka kryer vlerësimin e dëmeve në familje dhe qendrat e saj sociale të ngritura në qytet e komuna. Konkretisht raportohet se përmbytjet kanë nxjerrë jashtë funksionit tri qendra sociale ditore, ku merrnin ndihma me ushqim e veshje 80 fëmijë të zonës së Nënshkodrës. Gjithashtu ndryshe nga komunat, në qytet gjendja e qendrave rezidenciale, Shtëpia e Fëmijës dhe qendra për zhvillimin e aftësisë së kufizuar paraqitet më e mirë. Fokus i inspektimit të ministrisë ka qenë dhe gjendja sociale e komunitetit rom në zonat e përmbytura në Shkodër. Për këtë ministri ka bërë me dije se strukturat kanë treguar kujdes të veçantë për familjet më në nevojë. Sipas tij, gjatë ditëve të shkuara janë shpërndarë ndihma për komunitetin rom në veçanti, si dhe për familjet e personave me aftësi të kufizuara. "Gjate gjithë këtyre ditëve ne kemi monitoruar situatën për personat me aftësi të kufizuar, për shtresat në nevojë, për familjet me ndihmë ekonomike. U kemi dhënë të gjitha ndihmat që duan, furnizimin me ujë të pijshëm, me energji elektrike dhe karburant, për të pasur ngrohje dhe kushte sa më normale", ka pohuar ministri Spiro Ksera.

QSUT, vihet në punë telemjekësia

Lidhja e parë ndërmjet QSUT-së dhe Shkodrës

Institucionet shëndetësore do të mund të bashkëpunojnë edhe në distancë, falë telemjekësisë. Gjatë ditës së djeshme, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është bëra prova e parë e lidhjes së telemjekësisë. Ofrimi i këtij shërbimi do të sjellë heqjen e transportit të panevojshëm të pacientëve drejt Tiranës. Po kështu do të ndihmojë edhe për konsultat mes mjekëve të Shkodrës dhe kolegëve dhe specialistëve të QSUT-së.

Ky shërbim është konsideruar si një arritje e madhe për vetë faktin se ai do të mundësojë trajtim dhe ndërhyrje te pacienti edhe përmes këshillave të emrave më të njohur në botë. Telemjekësia është projekt në nivel kombëtar dhe do të shtrihet në Vlorë, Kukës, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Durrës. Ky shërbim rrit aftësinë diagnostifikuese, ku diagnozat do të vendosen në kohë rekord dhe pa shpenzime. Komunikimi është bërë mes drejtuesve të spitalit, kreut të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ndodhej në qytetin e Shkodrës. Gjatë fjalës së tij, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, e ka cilësuar këtë investim si shumë të rëndësishëm për trajtimin e rasteve të rënda me asistencën e kësaj qendre spitalore, por edhe ofrimin e ndihmës për mjekët e spitaleve të rretheve. “Është një kënaqësi e veçantë që jam sot këtu në përurimin e kësaj aparature, e cila po na lidh sot me qytetin e Shkodrës, i cili është duke kaluar një situatë të vështirë. Me anë të telemjekësisë ne tashmë do të jemi më afër, për të ofruar ndihmë mjekësore edhe gjatë kësaj periudhe gatishmërie”, ka pohuar Ivziku. Ndërkohë që nga ana tjetër ministri Vasili e cilësuar lidhjen e mjekëve mes telemjekësisë si një nga sukseset me të mëdha në fushën e shërbimit shëndetësor gjatë këtyre viteve. “Ndihma që kolegët do të marrin përmes njëri-tjetrit për trajtimin e rasteve të rënda është pikërisht për përcaktimin dhe diagnostifikimin e sëmundjeve të ndryshme të vendit. Ky shërbim tashmë është në 6 qytete të vendit, e do të mundësojë komunikim jo vetëm ndërmjet rretheve, por edhe jashtë Shqipërisë”, ka theksuar ministri Vasili.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›