E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata, sinjal mbështetës për heqjen e vizave

03/06/2010 BE përkrah perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian ka theksuar mbështetjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në funksion të integrimit evropian të tyre. Në deklaratën zyrtare të publikuar pas samitit të Sarajevës, shprehet hapur angazhimi i plotë i BE-së ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila mbetet esenciale për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. “Procesi i stabilizim-asociimit mbetet kuadri i procesit të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Procesi i secilit vend drejt BE-së do të varet nga meritat përkatëse për arritjen e kritereve dhe kushteve të caktuara. Progres i rëndësishëm është bërë në funksion të anëtarësimit në BE, sikundër është treguar në negociatat e vazhdueshme, përgatitjen e opinionit mbi aplikimet për anëtarësim dhe përcaktimin e një rrjeti të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë fuqishëm të ankoruara në procesin e zgjerimit të BE-së”, thuhet në deklaratën përfundimtare të takimit të djeshëm të Sarajevës. Bashkimi Evropian, përmes kësaj deklarate ka përcjellë një sinjal pozitiv dhe tepër mbështetës në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. “Qytetarët e ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë gëzojnë udhëtim të lirë dhe pa viza drejt BE-së që prej fundit të vitit 2009. BE-ja mirëpriti propozimin e Komisionit Evropian për të zgjeruar regjimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës (menjëherë pasi kriteret e caktuara do të plotësohen)”, thuhet në këtë deklaratë. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, deklarata thekson se Kosova gjithashtu duhet të përfitojë heqjen e mundshme të vizave, pasi të jenë plotësuar të gjitha pushtetet. Në deklaratën e miratuar pas përfundimit të samitit të Sarajevës, BE-ja u kërkon vendeve të rajonit të intensifikojnë përpjekjet për të përmbushur kriteret e nevojshme, ndërsa nënvizon se integrimi mbetet një proces i mbështetur në arritjet dhe meritat e secilit vend. “Përgjatë viteve, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë progres drejt arritjes së kritereve politike dhe ekonomike të Kopenhagenit. Gjithsesi mbeten ende shumë sfida, në mënyrë të veçantë me sundimin e ligjit. Çështje të vështira si reformat administrative dhe në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të kryhen energjikisht. Këto çështje përbëjnë çelësin për një demokraci dhe ekonomi funksionale dhe kushte kryesore në procesin e pranimit në BE”, thuhet në deklaratë. Përmes kësaj deklarate, Bashkimi Evropian thekson se takimi konfirmon mbështetjen për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit, por gjithashtu thekson nevojën që secili prej këtyre vendeve të vazhdojë rrugën e reformave politike dhe ekonomike. Të gjitha vendet inkurajohen për të përforcuar lidhjet për bashkëpunim rajonal, duke ndihmuan për eliminimin e problemeve në mënyrë më të lehtë. BE-ja shprehet se pajtimi është çelësi për tejkalimin e trashëgimisë nga e kaluara. Në deklaratë gjithashtu përmendet edhe fakti se vendet e rajonit nuk arritën t’i shpëtonin recesionit ekonomik, por mundën që ta përballonin atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›