E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata/Bregu: S’pret koha, Imuniteti dhe ligjet të votohen brenda datës 20 shtator

09-09-2012 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit deklaron se nisma e mazhorancës për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë nuk do të diskutohet në parlament së bashku me propozimet e PS-së dhe shpresohet që nisma dhe ligji për Gjykatën e Lartë të miratohen para datës 20 shtator

Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu u shpreh dje se heqja e imunitetit dhe disa reforma pjesë të 12 rekomandimeve, duhet të votohen në parlament brenda datës 20 shtator, për t’i hapur rrugë kështu një vlerësimi pozitiv nga Komisioni Evropian në progres-raportin e këtij viti. Bregu theksoi se ndryshimet në Kushtetutë që lidhen me kufizimin e imunitetit, nuk do të diskutohen në Parlament së bashku me propozimet e Partisë Socialistë për atë që quan “reformë në drejtësi”. Sipas saj, detyrimi i klasës politike shqiptare është të votojë kufizimin e imunitetit sa më shpejt që të jete e mundur, por kjo nuk ka lidhje me kërkesën e opozitës për ndryshimin e ligjit themeltar për institucionet e pavarura. “Klasa politike shqiptare, ka afat deri më 20 shtator për të miratuar tre kërkesa të Brukselit, që janë kufizimi i imunitetit, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe Reformën Parlamentare, për të rritur kështu shanset e Shqipërisë që më 10 tetor Komisioni Evropian t’i japë “OK” marrjes së statusit të vendit kandidat”- deklaroi ministrja e Integrimit. Duke komentuar deklaratat e Ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, për imunitetin, Bregu tha se “nuk ka asnjë mospërputhje mes deklaratës së ministrit Panariti për imunitetin dhe qëndrimit të Kryeministrit”. Sipas saj, “zhveshja nga mbrojtja ligjore është përfshirë tek prioriteti numër 8 për luftën ndaj korrupsionit”.
Ndonëse ka një zotim të theksuar nga mazhoranca për të hequr imunitetin me apo pa konsensusin e opozitës, kësaj të fundit nuk i mbetet shumë kohë për të shprehur qëndrimin zyrtar. Shumica ka paralajmëruar se në rast dështimi në parlament, sikurse ndodhi seancën e 6 gushtit, atëherë gjatë muajit tetor do jenë qytetarët ata të cilët do shprehen me votën e tyre në referendumin për kufizimin e imunitetit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›