Fokus/Një pionier i Enverit, si megafon i paranojave politike të Edvinit

Për asnjë moment Partia Socialiste nuk mendon të reflektojë lidhur me debatin e shumë-diskutuar të heqjes së imunitetit, duke mbetur në pozita bllokuese edhe pas apeleve ndërkombëtare. Kësisoj, në rast se drafti për imunitetin do të jetë në rend dite në një ndër seancat brenda 30 shtatorit, i pashoqëruar si paketë me nismën për të cilën mazhoranca kërkoi minimalisht dy javë kohë, atëherë PS sërish nuk do të votojë, duke shënuar një seancë të ngjashme me atë të 6 gushtit. Paralajmërimin e dha Fatmir Xhafa, një nga zhurmuesit më të mëdhenj të interesave politike të Edi Ramës me CV të pasur si ish eksponent i nomeklaturës komuniste, njeriu që në festat e diktaturës do të ngarkohej për t’i lidhur në qafë shaminë e kuqe dhe dorëzuar buqetën e luleve diktatorit. Në konsistencë të plotë dhe të panegociueshme për të shmangur çdo mundësi konsensusi lidhur me reformat e integrimit, bllokimi vazhdon aty, në parlament, pikërisht me eksponentët e trashëguar nga klika enveriste. “Ne bëmë detyrën tonë si opozitë. Dhamë propozimet tona për të shpëtuar sistemin e drejtësisë nga humnera. Shkuan deri aty sa paralajmëruan se nuk do ta votonin edhe 100 vjet. Thanë të vërtetën se nuk duan reformë reale në drejtësi. Opozita i ka paraqitur kuvendit një paketë amendamentesh kushtetuese për reformë thelbësore dhe jo arnime gjoja në emër të integrimit. Ne nuk presim që PD të votojë propozimet e ndryshimeve tona”- deklaroi Xhafa. Ndonëse, ky kushtëzim vjen si një lojë politike në boshllëk, kur socialistët janë plotësisht të vetëdijshëm se nisma e tyre kushtetuese për reformën në drejtësi nuk ka asnjë shans të votohet nga mazhoranca, edhe nëse ajo do të shkonte njëkohësisht me të në Kuvend. Por pavarësisht kësaj, forca kryesore në opozitë, dhjetë muaj para zgjedhjeve, mendon se të paktën kjo është një politikë bindëse për qytetarët, pra tentativa për të kushtëzuar heqjen e imunitetit me paketën e ndryshimeve kushtetuese. “Jemi duke i bërë këto propozime dhjetë muaj nga fitorja e ardhshme. Nëse pala tjetër do t’i votonte këto ndryshime do të ishte arritje për vendin. Shpresojmë që kryeministri Berisha të reflektojë e të dalë nga pozicioni destruktiv. Në çdo rast ne premtojmë se këtë debat do ta bëjmë për shqiptarët dhe vizionin tonë, për drejtësinë do ta bëjmë për shqiptarët. Populli do të zgjedhë demokracinë përballë neo-diktaturës”- vijoi ai. E vërtetë është se edhe nëse socialistët do të vinin në pushtet në 2013-ën, zgjedhja e krerëve të institucioneve të drejtësisë me shumicë të cilësuar votash, siç ata propozojnë sot, do të mbetej thjesht një propagandë elektorale. Në qoftë se demokratët edhe pse në opozitë, do të ndiqnin logjikën e sotme, kanë bërë të qartë se nuk do t’i jepnin kurrë votat për atë që e vlerësojnë si rënie të institucioneve në bllokim, ose në duart e pakicës.