Deklarata/Ilir Meta: S’ka pikëpyetje, presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka vijuar turin e riorganizimit të strukturave politike të LSI-së, duke u ndalur në qytetin e Korçës ku ka marr pjesë në Konferencën Zgjedhore të Lëvizjes Rinore për Integrim. Gjatë këtij takimi, Meta ka bërë apel për të përshpejtuar procesin e reformës zgjedhore në përmbushje edhe të rekomandimeve të bashkimit evropian. “Ne shpresojmë që të përshpejtohen ritmet e reformës zgjedhore dhe njëkohësisht të bëhen gjithë ato përmirësime të cilat të realizojnë evitimin e çdo lloj kontestime të mundshëm, sikurse ka ndodhur në të kaluarën. Për këtë janë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe natyrisht edhe realizimin e barazisë së votës. Ne jemi të hapur për çdo formulë që i realizon këto, sepse kuptohet që çdo formulë është çështje kompromisi dhe duhet kompromis”- u shpreh Meta. I pyetur nga mediat lidhur me zgjedhjen e presidentit, Meta ka kërkuar për këtë proces, konsensusin politik të palëve.
“Për Lëvizjen Socialiste për Integrim më i rëndësishëm është procesi, i cili duhet të jetë një proces kushtetues, pa asnjë diskutim, por edhe sa më konstruktiv që të jetë e mundur. Emrat vinë pas procesit”- tha ai. Ai ka deklaruar se LSI është forca politike për të realizuar sfidat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, në zgjedhjet e 2013-ës LSI do arrijë një rezultat shumë herë më të mirë se në 2009-ën. “Në zgjedhjet e fundit të 8 majit, LSI realizoi një rritje prej 50% të votave në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009. Jam i bindur se në zgjedhjet e vitit 2013 rezultati do të jetë disa herë më pozitiv sepse LSI ka treguar që është një fuqi pozitive, është një faktor konstruktiv e cila fuqizimin e saj e sheh si një kontribut për fuqizimin stabilitetit të vendit, si një kontribut për përshpejtimin e integrimit evropian të vendit. Ne jemi një forcë politike që është krijuar në emër të integrimit evropian të vendit, të këtij interesi mbarëkombëtar sepse asnjë komb tjetër në Ballkan nuk ka përfituar më shumë se kombi ynë nga proceset integruese pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas përmbysjes së regjimit të mëparshëm. Ja ku është sot Shqipëria, anëtare e NATO-s, një vend i gatshëm për të qenë kandidat për në Bashkimin Europian”. Për kreun e LSI-së, të rinjtë do jetë në esenca e projektit të integrimit të vendit, sepse sipas tij, energjitë e tyre sjellin ndryshime të shpejta në shoqërinë tonë. “Vendi kërkon një ritëm më të lartë ndryshimi dhe këtë në radhë të parë do ta promovojnë të rinjtë dhe të rejat sepse energjitë e tyre janë të pafundme. Fuqizimi i të rinjve dhe të rejave është shpresa më e madhe për ndryshime më te shpejta në shoqërinë tonë, në vendin tonë dhe në komunitetin e secilit. Ndaj ne shohim procesin e integrimit evropian të vendit si mundësinë më të mirë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë për të krijuar më shumë vende pune, për të nxitur më shumë investime, për të tërhequr më shumë investitorë të huaj në mënyrë që të gjithë këta faktorë do të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik të vendit duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe të reja për punësimin e tyre dhe për perspektivën e tyre këtu në vend” - tha ai. Nga ana tjetër 841 delegatë të Lëvizjes Rinore për Integrim sipas parimit “Një anëtar një votë” zhvilluan zgjedhjet për kreun e LRI-së në këtë qytet ku fituese pas procesit të numërimit të votave rezultoi Arsidesa Hysi përballë Niko Kapuranit.
Venizelos-Metës: Greqia dhe Shqipëria, marrëdhënie historike mes tyre/Kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos i ka dërguar një letër falenderimi Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në përgjigje të letrës së urimit që ky i fundit i kishte bërë disa ditë më parë. Në letrën drejtuar Metës, Venizelos vlerëson se Greqia dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të rëndësishme historike së bashku. Në këtë kontekst ai shkruan se të dy vendet po punojnë së bashku për çështje te përbashkëta, në funksion të një bashkëpunimi të mirë bilateral dhe rajonal. Ndërsa duke përshkruar ecurinë e ekonomisë së Greqisë, ai i bën të ditur kreut të LSI-së Meta se qeveria greke ka bërë hapa të rëndësishëm për rimëkëmbjen e saj.