Deklarata/Komunistët Grekë: “Borgjezia në Tiranë po kërkon të na marrë Greqinë”
Mediat greke gumëzhijnë nga një panik i pakuptimtë i ditëve të fundit, nga një deklaratë e kryeministrit Sali Berisha në shenjë vlerësimi për trojet shqiptare në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë. Frika dhe paniku është prezent këto ditë në Athinë, në të gjitha të përditshmet e fqinjit jugor, ku nuk ngurojnë që në germa kapitale të paralajmërojnë “rrezikun që u vjen nga fqinji verior”...
Pretendime të gjitha qesharake dhe që venë në dyshim seriozitetin e shtypit grek dhe jo vetëm. Para se në qendër të vëmendjes së vihen të përditshmet e Athinës, vlen të theksohet se kjo “ftohje” e raporteve shqiptaro-greke në një ditë feste për Shqipërinë, në 100 vjetorin e pavarësisë, e ka zanafillën te qëndrimi i shprehur publikisht nga Ministria e Jashtme Greke. Ku, pa më të voglin dyshim justifikohej anulimi i vizitës së Avramopulos në Shqipëri, për shkak të deklaratës së kryeministrit Berisha për Prevezën. Mjaftuan këto pak rreshta “sqarues” të Ministrisë greke që mediat të gumëzhinin në rrugë alarmante, duke i dhënë situatës nuanca nacionaliste.
S’kishte se si të ndodhte ndryshe.
Pjesë e zhurmës greke u bënë edhe forcat politike nacionaliste që vitet e fundit kanë fituar terren të mjaftueshëm në fqinjin jugor. Agimi i Artë është i ashpër në qëndrimin e tij, por gjithsesi s’pritet zbutja e toneve nga një forcë politike naziste.
Madje, e Majta Demokratike, DIMAR, pjesë e koalicionit qeverisës shprehet se “deklaratat zjarrvënëse të Sali Berishës janë përtej çdo koncepti të bashkëpunimit në Ballkan, minojnë bashkëjetesën paqësore të shqiptarëve me popullin grek dhe nxitin nacionalizmin ekstrem. Ato janë të rrezikshme dhe tërësisht të dënueshme”.
S’mbetet pas as SYRIZA, partia opozitare e Aleksis Tsipras shprehet se, “Histeria nacionaliste e zërave që nuk i shërbejnë paqes dhe bashkëpunimit midis popujve dhe qeverive në rajonin tonë është e rrezikshme dhe hedh vaj në zjarrin e vendeve të djathta ekstremiste që shfrytëzojnë deklarata të tilla të papërgjegjshme.
Deklarata korrigjuese nuk i zbut shprehje të tilla, të cilat ushqejnë besimet obskurantiste dhe mesjetare”.
Për të vënë pikat mbi ‘i’ këtij debati të trilluar dhe jashtë çdo logjike normale mes dy vendeve fqinje ku në ballë të tyre qëndron vetë historia, vjen deklarata e Partisë Komuniste Greke (KKE) të cilët paralajmërojnë për “rreziqet që vijnë nga planet e borgjezisë në Shqipëri me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, për të ndryshuar kufijtë në Greqi dhe në Ballkan”.
Kaq mjafton për të kuptuar thelbin e vërtetë të shqetësimit të grekëve, të cilët nga njëra anë historia i fajëson, por nga ana tjetër s’duan ta pranojnë fajin dhe për të mbuluar fatkeqësinë e së shkuarës - përhapin panik nga deklarata e kryeministrit Sali Berisha mbi rëndësinë historike që trojet shqiptare kanë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë.