E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata/“Mandati i ardhshëm, mandati i gazifikimit të Shqipërisë”

02-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri i cilëson akuzat e PS-së ndaj “Albpetrol”, shpifje dhe trillime K


ryeministri Berisha ka vlerësuar memorandumin e firmosur në SHBA mes Shqipërisë-Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin TransAdriatik Pipeline, i cili përbën aktin më të rëndësishëm që Shqipëria ka firmosur në fushën e bashkëpunimit ekonomik apo energjetik. Sipas tij, impakti i këtij projekti është më i rëndësishëm se çdo projekt për zhvillimin këtij vendi dhe ka ndikim direkt në uljen e kostos së jetesës, nisur dhe nga fakti se investimi në Shqipëri i këtij projekti shkon deri në 2 miliardë dollarë. Duke iu referuar pozicionit gjeografik ai tha se ky projekt përbën një nyje të rëndësishme të transportimit të gazit, jo vetëm drejt Italisë, por edhe Veriut të Ballkanit dhe bën të mundur që Shqipëria të shndërrohet në vend prodhues madhor energjie në rajon. “Ky Memorandum Mirëkuptimi përbën aktin më të rëndësishëm që Shqipëria ka firmosur në historinë e saj në fushën e bashkëpunimit ekonomik apo energjetik. Impakti  i këtij projekti  është më i rëndësishëm se çdo projekt  tjetër  për zhvillimin e këtij vendi.  Gazsjellësi Trans-Adriatik, i cili kalon në 140 km në territorin shqiptar bën një transformim tërësor energjetik dhe ekonomik të vendit. Në këtë projekt, i cili për realizmin në territorin shqiptar sjell një investim prej rreth 2 miliard eurosh. Shqipëria ka një pozicion shumë të leverdishëm, pozicioni gjeografik i saj, e bën Shqipërinë një nyje shumë të rëndësishme  të transportit  të gazit, jo vetëm drejt  Italisë që është destinacioni  kryesor, por edhe drejt veriut të Ballkanit. Depozitat natyrale të gazit janë shumë të çmuara për këto qëllime. Firmosja e Memorandumit në Nju Jork  nga ministrat e jashtëm  të tre vendeve  tona, është një akt madhor, mirëbesimi  reciprok dhe vendosmërie  për të  ngritur bashkëpunimin midis vendeve tona në një nivel  të ri, në një shkallë të lartë përgjegjësie. Qeveria shqiptare është  e vendosur të përmbushë përpikërisht çdo detyrim që rrjedh nga ky Memorandum dhe që rrjedh nga përzgjedhja vitin e  ardhshëm, të këtij projekti nga projekti më i mirë nga konsorciumi  i Shah Deniz 2, i cili ka parashikuar të investojë në Shah Deniz 2, për nxjerrjen e gazit, në  funksion të projektit, 25 miliard dollarë dhe  faktikisht ka nisur investimi  i 4 miliardëve të parë. Natyrisht vendimi përfundimtar do të merret pranverën që vjen, por firmosja  e këtij Memorandumi përbën mbështetje të fuqishme të koncorsiumit  të Shah Deniz 2,  për të vendosur në favor të gazsjellësit  Trans-Adriatik, pasi ky është gazsjellësi  më fizibël, më i leverdishëm nga ana ekonomike dhe më i shkurtër dhe për rrjedhojë më i studiuar si projekt”, tha ai. Gjithashtu, në këtë drejtim, kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të nisë mandatin e ardhshëm projektin e gazifikimit të vendit. “Ky projekt i jep të mundur qeverisë shqiptare, që në mandatin që vjen të parashikojë gazifikimin e vendit, shtrirjen e tubacioneve të gazit për ngrohje dhe gatim në të gjithë territorin e Shqipërisë. Projekti sjell pas vetes një projekt madhor, i cili do të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme, të qenësishme pozitive, jetën e familjeve shqiptare. Me zbatimin e tij, shqiptarët do të mund të marrin energjinë për ngrohje dhe gatim me çmime shumë më të leverdishme sesa ky i sotmi, pra projekti ka një ndikim direkt në uljen e kostos së jetës për qytetarët shqiptarë. Projekti përben një mundësi të madhe për vendin, për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë elektrike, me teknologjitë më të avancuara, të cilat respektojnë në shkallën me rigoroze mjedisin, ajrin dhe bëjnë të mundur që Shqipëria krahas superfuqisë së vogël të energjisë së rinovueshme  në Rajon, të shndërrohen në një prodhues madhor energjie për rajonin”, theksoi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë i është referuar edhe privatizimit të kompanisë “Albpetrol” duke akuzuar opozitën për shpifje dhe trillime për këtë proces. “Dua të theksoj se disa qëndrime të shfaqura gjatë ditëve të fundit, janë shpifje dhe trillime nga opozita kanë qenë të motivuara nga ligësia njerëzore, nga keqdashja e plotë, nga smira e pakufishme. Unë dua të informojë shqiptarët se ky proces ka nisur tre vjet më pare dhe është një proces i gjatë, serioz i shumë anshëm dhe në mënyrë absolute s`ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Është mjerim të shohësh tituj meskinë të dala nga labirintet e fabrikës së mashtrimit të PS-së. Procesi do të kalonte në të gjitha etapat e domosdoshme dhe kështu ndodhi”, tha Berisha. Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë arsye tjetër veç vendosmërisë për të thelluar privatizimin si kusht për të rritur eficencën ekonomike. “Rëndom eksponentë të opozitës e cilësojnë këtë si një shitje, identike gjuha e etërve të tyre. Dhënia me koncesion për shfrytëzim të pasurive është interesi jetik i gjithë qytetarëve, asnjë centimetër tokë nuk është shitur, por nafta, gazi që flenë në shekuj e mijëvjeçarë, kromi, bakri, floriri, janë thjesht gurë, fosile, nëse ato nuk nxirren, përpunohen apo shiten në treg”, shtoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›