Ministria e Mbrojtjes: Erjon Braçe ka shkelur 3 herë ligjin – bie nga një gafë në tjetrën
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish sot ndaj akuzave të deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe në lidhje me publikimin e dokumentave sekretë dhe shitjen e armëve. Nëpërmjet zëdhënëses, Lorisa Ylli, Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë akuzat e deputetit socialist, duke i quajtur ato shpifje të neveritshme, ndërsa për publikimin e dokumentave sekretë Braçe ka shkelur 3 herë ligjin. “Braçe nuk mund të justifikohet se nuk ka qenë në dijeni të shkeljes së këtyre ligjeve, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve e ka bërë me dije se dokumenti i kërkuar nga Braçe nuk mund të përcillet me shkresë zyrtare, se do ishte shkelje. Jeni ftuar në komision t’ju vihen në dispozicion me dyer të mbyllura, ju keni refuzuar se interesi juaj dhe i partisë suaj nuk është e vërteta, por shpifjet. Ju bini nga një gafë në tjetrën se nuk denjoni të lexoni”- deklaroi zëdhënësja Ylli. Sipas saj aktiviteti i ligjshëm i shitjes së armëve është i bazuar në ligjin e brendshëm dhe ndërkombëtar dhe është aq normal sa çdo aktivitet tjetër me natyrë kontraktuale “Deklaratat për blerje arme nga Serbia janë shpifje të neveritshme”- tha ajo, e cila garantoi se Ministria e Mbrojtjes pavarësisht akuzave dhe shpifjeve është e vendosur të vazhdojë këtë proces që është detyrë e saj dhe jo zgjedhje e saj.
...