PD, Mima: Karteli i ndërtimit “Rama” po betonizon parkun e Liqenit

Partia Demokratike dha sot alarmin se njerëz të afërt dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës, kanë fituar të drejtën për të ndërtuar pallate shumë katësh në zonën e Parkut të Liqenit artificial, në një kohë kur kjo pjesë vitale mbetet mushkëria e kryeqytetit. Deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima deklaroi sot se Bashkia e Tiranës do të betonojë 130 mijë m2 sipërfaqe në afërsi të Liqenit Artificial ku e drejta e ndërtimit i është dhënë njerëzve të afërt të kryebashkiakut Rama. “Sipërfaqja shtrihet në afërsi të kodrave të Liqenit Artificial, Kopshtit Zoologjik dhe parkut të lodrave pranë Aquadronit. Aty përfshihet një sipërfaqe e studiuar për t’u betonuar prej rreth 130 mijë m2. Nga këto, mbi 90% u është akorduar njerëzve të afërt, madje shumë të afërt të kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe, jo pa qëllim, një sipërfaqe fare e vogël, është rezervuar edhe për firma që nuk kanë lidhje me të. Intensiteti i ndërtimeve në këtë zonë pritet të jetë ndër më të lartët në vend, jashte çdo lloj parametri ligjor”- u shpreh deputeti demokrat, Mima. Në emër të deputetëve të qarkut të Tiranës Mima i ka kërkuar kryeministrit të vendit, i cili është njëhereazi edhe kreu i KRRTRSH, të marrë masa urgjente për ta shndërruar këtë zonë në një zonë argëtimi, në harmoni edhe me pjesën tjeter të zonës, kodrat, liqenin artificial, pishinat, parqet botanike dhe zoologjike etj.
...