E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata/Milo: Reforma Zgjedhore - po përsëritet skenari që përjashton të vegjlit

11-03-2012 / Gazeta 55

Në vazhdimësi të trumbetimit të pakënaqësive të partive të vogla lidhur me reformën zgjedhore, kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo e ka konsideruar këtë proces një ri-përsëritje të skenarit të vjetër nga dy forcat kryesore politike. Milo ka shpjeguar që e gjithë kjo lojë mes demave të mëdhenj po i shkon në favor krijimit të infrastrukturës për vjedhjen e votave të partive të vogla.
Në këtë kontekst është shprehur i indinjuar nga mos angazhimi i ndërkombëtarëve në këtë pikë, ndërsa ka shtuar se LSI duhet të lobojë fort mbi këtë çështje, nisur nga ndikimi i saj i drejtpërdrejtë që ka në PD.
“Puna në reformën zgjedhore po bëhet me të njëjtat mënyra me të kaluarën, po ndiqet e njëjta procedurë, nuk ka transparencë dhe aq më pak gjithë përfshirje pavarësisht premtimeve. Po bëhet një punë e mbyllur, habitem nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që tregojnë pak shqetësim dhe aspak angazhim. Shoh përsëritje të një skenari të vjetër që të lërë të kënaqur dy forcat kryesore politike, pavarësisht cilësisë. Kjo mënyrë na nxit të kemi dyshime, ne jemi duke bërë përpjekjet tona por duke qenë jashtë komisionit zgjedhor vështirësohet kjo punë. Këtu nuk është fjala për të marrë një deputet dhe është i drejtë edhe shqetësimi i LSI-së. Mendoj që ajo duhet të jetë më këmbëngulëse, sepse ka potencialin ta bëjë diçka të tillë nisur nga influenca e saj në PD. Ne jemi koherent në qëndrimet tona, duke këmbëngulur të mos bëhen gabimet e radhës, pasi të gjitha këto kanë pasur një kosto, si ajo e mos marrjes së statusit kandidat. Është koha më shumë se kurrë që të ketë një front të përbashkët për të zbatuar parimin kushtetues dhe për të vënë dy forcat kryesore përballë përgjegjësive historike, për të ndryshuar raportin me të kaluarën dhe për të treguar që dimë të bëjmë një politikë të standardeve europiane. Nëse nuk e realizojmë kodin zgjedhor asnjë politikan s`do të ketë moral të bëjë premtime duke qenë vetë shkelës të Kushtetutës”, tha ai.
Sa i përket hapave konkretë të PDS-së, Milo sqaroi se janë në pritje të një ndërgjegjësimi të dy partive të mëdha për ti dhënë fund makthit të bipolaritetit politik, duke i kursyer kështu vendit, lënien në buzë të greminës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›