E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në kohën e duhur, Shqipëria do të ketë një president të gjithë-pranuar”

11-03-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI, Ilir Meta: “Konsensusi është i nevojshëm, por jo një mënyrë për të mbetur pa president”

“Presidenti do të zgjidhet vetëm sipas Kushtetutës”. Ky ka qenë qëndrimi i prerë i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, në një takim me gratë dhe të rejat e LRI, në kuadër të ristrukturimit të Forumit të Gruas. Nga qyteti i Kuçovës ai ka deklaruar se LSI do të punojë në shërbim të procesit, në mënyrë të tillë, që ai të jetë sa më konstruktiv, ndërsa ka shtuar se gjithçka do të vijë në kohën e duhur. Për Ilir Metën, konsensusi është i nevojshëm, por jo një mënyrë për të mbetur pa president.
“Shqipëria do të ketë patjetër presidentin e saj në kohën e duhur, pra e kam fjalën për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Është një zgjedhje e pashmangshme për shkak edhe të kushtetutës dhe bazuar mbi kushtetutën. Konsensusi është i nevojshëm dhe natyrisht i mirëpritur, por e theksoj se konsensusi nuk mund të jetë një mënyrë për të mbetur pa president, që do të thotë se në çdo rast do të kemi president të zgjedhur me Kushtetutë, unë do ta dëshiroja me konsensus sa më të gjerë”, thotë ai.
Duke nënvizuar se LSI-ja është në shërbim të procesit, që të jetë sa më konstruktiv dhe transparent, Meta ka theksuar se Shqipërisë i duhet një figurë që të garantojë funksionimin e institucioneve dhe një figurë që të qëndrojë mbi partitë dhe interesat e tyre.
Deklaratat e tij Meta i bëri nga Berati ku ka nisur një tur takimesh me elektoratin e LSI. Dje ai zgjodhi qytetin e Kuçovës për të kryer një takim me gratë simpatizant të LSI-së, dhe drejtuesit e saj. Në këtë takim kreu i LSI-së, Ilir Meta ka theksuar edhe një herë qëndrimin e tij për të ndikuar në integrimin e Shqipërisë në BE. Ai ka thënë se LSI- e ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me këtë problem.
“Ne do të përgatitemi të jemi të fortë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ku LSI në këto zgjedhje do të ketë dinjitetin e saj politik dhe njëkohësisht do të renditet si një forcë politike me dinjitet të lartë”, tha ai.
Duke iu referuar takimit me gratë dhe të rejat simpatizante të LSI-së, Meta tha ato janë një potencial i rëndësishëm dhe energji për sukseset elektorale.
“Jam i lumtur që ndodhem mes grave dhe nënave të Kuçovës. Ne duhet te çlirojmë energjitë e potencialet e këtyre grave, e këtyre nënave e vajzave të Kuçovës e të gjithë Shqipërisë sepse energjitë e tyre janë të jashtëzakonshme, janë energji që e çojnë shoqërinë përpara, janë energji që forcojnë familjen shqiptare, janë energji që emancipojnë dhe modernizojnë shoqërinë tonë,ashtu sikurse vlerat e tyre janë të padiskutueshme për të pasur një pozitë të barabartë e përfaqësuese në të gjithë shoqërinë tonë,në të gjitha institucionet, në jetën politike dhe ekonomike të vendit”, theksoi Meta.

Ju jeni shprehur në takimet e zhvilluara në qarkun e Beratit se keni filluar tanimë me energji të reja, një fillim i ri, një start i ri? Çfarë nënkupton ky start i ri?
Mendoj se gjithmonë ka një start të ri, ka një fillim të ri sepse gjithnjë ka sfida të reja dhe këto kërkojnë energji të reja dhe ne kemi treguar që karikohemi shumë shpejt. Jo vetëm sepse energjitë tona janë të bollshme, por dhe për arsye të gjitha energjive të marra nga takimet që bëjmë me qytetarët, me anëtarët, me simpatizantët tanë e sidomos me të rinjtë.

Në çfarë faze ndodhet LSI-ja, në çfarë segmenti të jetës së saj politike ndodhet ajo? LSI ka një proces zgjedhjesh të brendshme?
Mendoj se e kemi kaluar fazën e konsolidimit. Këtë e treguam në zgjedhjet e fundit lokale dhe është dhe një fazë tjetër, pikërisht atë të rritjes s pjekurisë politike, sepse të mos harrojmë që është një forcë relativisht e re dhe mendoj se jemi në fazën e rritjes.
Ne jemi në përgatitje të tre evenimenteve shumë të rëndësishme. Konventa Zgjedhore e Gruas, e Rinisë, pastaj edhe Konventa Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim që do të thotë se kemi të bëjmë me një proces organizativ mjaft të rëndësishëm me rinovimin, me ripërtëritjen e strukturave përmes votimit. Por edhe një proces që do të debatojë lidhur me pozicionin në të cilin ndodhet Lëvizja Socialiste për Integrim, me vlerësimet e caktuara të programit tonë, me çështje të cilat duhen rivlerësuar për arsye të eksperiencës qeverisëse, për arsye të një krize ekonomike globale të paparashikuar, e cila natyrisht ka efektet e saj në ekonominë tonë dhe do të jetë një proces tepër i hapur dhe transparent

Cili do të jetë qëndrimi juaj nëse Fatos Nano kandidon për president?
Shqipëria do të ketë patjetër presidentin e saj në kohën e duhur,pra e kam fjalën për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm sepse është një zgjedhje e pashmangshme,për shkak edhe të Kushtetutës dhe bazuar mbi Kushtetutën. Konsensusi është i nevojshëm dhe natyrisht i mirëpritur,por e theksoj që konsensusi nuk mund të jetë një mënyrë për të mbetur pa president,që do të thotë se në çdo rast ne do të kemi një president të zgjedhur me Kushtetutë dhe unë do të dëshiroja që ai të zgjidhet me një konsensus sa më të gjerë.

Do të ketë një emër nga LSI-ja për president?
LSI-ja është në shërbim të procesit,që të jetë një proces sa më konstruktiv, një proces sa më transparent dhe kemi nevojë për një figurë që të garantojë funksionimin e institucioneve,modernizimin e pandërprerë të tyre dhe për një figurë që të qëndrojë mbi partitë dhe interesat e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›