E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët thirren për të dhënë mendim lidhur me super-projektin e Bulevardit të Tiranës

11-03-2012 / Gazeta 55

Projektet për Bulevardin dhe Lumin e Tiranës, prej ditës së djeshme ndodhen të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar, në pritje të miratimit për projektin fitues. Kryebashkiaku Basha duke ftuar qytetarët që të shprehin mendimin e tyre, garanton se projekti final do të jetë një gjenerator i zhvillimit ekonomik të kryeqytetit, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe nxitjen punësimit

Që prej ditës së djeshme, 7 maketet e studiove që morën pjesë në Konkursin Ndërkombëtar për Bulevardin e ri dhe Lumin e Tiranës janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Maketet mund të vizitohen nga qytetaret dhe grupet e interesit të cilët mund të japin edhe mendime, sugjerime dhe të bëjnë pyetje për këto projekte.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka ftuar të gjithë qytetarët të shohin këto makete dhe të japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e projektit fitues.
“Qytetarët do të kenë mundësinë nëpërmjet një formulari të shprehin mendimet e tyre, sugjerimet e tyre, komentet e tyre por edhe të bëjnë pyetje të tjera të cilat do të merren në shqyrtim nga Departamenti i Urbanistikës dhe që do të jenë pjesë shumë e rëndësishme e procesit të konsultimit dhe për rrjedhojë edhe procesit të vendimmarrjes finale për zhvillimin e këtij projekti për Tiranën europiane të shekullit të XXI”, u shpreh Basha. Kryebashkiaku i ka cilësuar të jashtëzakonshme projektet e sjella nga të 7 studiot,
DAR Group Turkey & United Kingdom; Grimshaw Architects - United Kingdom;
West 8 - The Netherlands; Albert Speer & Partners – Germany; Cino Zuçhi Architetti – Italy; Gerkan, Marg & Partners – Germany; Kees Christianse & Partners - The Netherlands, ndërsa vlerësoi se procesi i konsultimit do t’i hapë rrugë vendimmarrjes, e cila do të konkretizohet me fillimin dhe implementimin me shpejtësi dhe pa vonesë të fazave të para të projektit, në veçanti të veprës kryesore publike që është bulevardi i ri apo zgjatimi i bulevardit.
Njëkohësisht, ture të organizuara do të organizohen për shoqatat e arkitektëve ndërtuesve, urbanistëve, ambientalistët, për anëtarët e Këshillit Bashkiak, Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit për studentet e arkitekturës etj. Specialistë të Bashkisë do të jenë të pranishëm çdo ditë për të dhënë sqarime edhe për qytetarët lidhur me 7 projektet.
“Zhvillimi i këtij projekti do të transformojë rrënjësisht cilësinë e jetës në këtë pjesë të qytetit, do të ofrojë akses që nuk e kemi dhe ndoshta as që e kemi menduar më parë me hapësira të gjelbra, me hapësira shplodhëse, me hapësira ujore por do të jetë edhe një gjenerator i fuqishëm i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit dinamik të ekonomisë së  qytetit e për rrjedhojë i punësimit të qytetarëve të Tiranës, në veçanti të qytetarëve të rinj të Tiranës, të të rinjve të Tiranës”, tha Basha.
Sipas tij, zhvillimi i këtij projekti do të transformojë rrënjësisht cilësinë e jetës në këtë pjesë të qytetit, do të ofrojë akses që nuk e kemi dhe ndoshta as që e kemi menduar më parë me hapësira të gjelbra, me hapësira shplodhëse, me hapësira ujore por do të jetë edhe një gjenerator i fuqishëm i zhvillimit ekonomik, i zhvillimit dinamik të ekonomisë së  qytetit e për rrjedhojë i punësimit të qytetarëve të Tiranës, në veçanti të qytetarëve të rinj të Tiranës, të të rinjve të Tiranës.
“Në javën e parë, pra në javën që vjen, ne do të bëjmë të mundur që nëpërmjet tureve të organizuara të japim shpjegime të veçanta për grupe të veçanta të interesit si: shoqatat e arkitektëve, ndërtuesve, ambientalistëve, për mediat. Ndonëse sot shoh që disa prej jush të pranishëm këtu keni filluar të shprehni mendimin dhe votën tuaj për projektet, ç’ka e mirëpres dhe e inkurajoj. Do të kemi pra një kalendar të ngjeshur të tureve të organizuara, dhe do të jetë Bashkia që do t’i organizojë këto ture. Në fokus do të jenë arkitektët, urbanistët, anëtarët të Këshillit Bashkiak, shoqatat mjedisore, shoqatat e ndërtuesve, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rregullimit te Territorit, studentët e arkitekturës e shumë grupe të tjera të cilave do t’u jepet përveç aksesit në këtë sallë, edhe një tur i organizuar pyetjesh, përgjigjesh, shpjegimesh, pranë secilit prej shtatë modeleve”, theksoi ai. Kryebashkiaku Lulzim Basha ftoi qytetarët e Tiranës që të vizitojnë ekspozimin e dy studiove finaliste.
“Dua t’u bëj një ftesë të gjithë qytetarëve të Tiranës që në kohën e tyre të lirë gjatë fundjavës apo kur të kenë kohë gjatë ditëve të javës, të jenë të pranishëm, të vizitojnë këtë sallë, të shikojnë këto studime. Janë studime jashtëzakonisht cilësore me të cilat është punuar shumë me profesionistët më të mirë të botës, është investuar energjia, dija, përvoja e tyre dhe të marrin pjesë aktive në procesin e konsultimit që do t’i hapë rrugë vendimmarrjes, e cila do të konkretizohet me fillimin dhe implementimin me shpejtësi dhe pa vonesë të fazave të para të projektit, në veçanti të veprës kryesore publike që është bulevardi i ri apo zgjatimi i bulevardit”, tha më tej kryebashkiaku Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›