“Partia e Topit? Nuk mendoj se i kapërcen pengesat e sistemit”

Kastriot Islami: Procesi i zgjedhjes së Presidentit s’duhet të pengojë marrjen e statusit
Deputeti i pavarur, Kastriot Islami i bën apel klasës politike të trajtojë me seriozitet çështjet e integrimit, pasi vetë procesi është i tillë që, merita i takon të gjithë shqiptarëve.
Sipas tij, gjendja aktuale është një situatë konvergjente mes mazhorancës dhe opozitës, ku secila pale po përpiqet të marrë pjesën e meritave në përmbylljen e 12 pikave të BE-së. Ai u shpreh se të dy forcat politike janë të ndërgjegjësuara në lidhje me riskun e radhës. “Ka filluar një situatë konvergjente pas zgjedhjeve të 8 majit ku forcat politike kanë si synim plotësimin e 12 pikave por duke maksimalizuar hapësirën në interes të tyre, duke u munduar të kenë sa më shumë pikë. Sipas historisë mazhoranca, cilado qoftë ka qenë më e interesuar të realizojë qëllimet dhe në këtë linjë opozita është munduar gjithmonë të krijojë bllokime. Tani ato janë të përgjegjshme nisur dhe nga angazhimet e ndërkombëtarëve, duke i mbajtur nën kontroll dhe vënë nën përgjegjësi si njërën palë ashtu dhe tjetrën. Jam optimist për marrjen e statusit, por secila palë mundohet të marrë sa më tepër pjesë nga suksesi në sy të elektoratit shqiptar. Këta kanë kuptuar se statusi po s’u mor në 2012 do jetë vështirë të merret dhe në 2013 pasi është vit elektoral dhe duke e shtyrë në 2014 do të ishte turp për politikën shqiptare të renditeshim të fundit”, u shpreh Islami.
Ai theksoi se pavarësisht vonimit në kohë, opozita duhet përshëndetur për rolin që ka marrë në funksion të integrimit të vendit, si me rikthimin në parlament ashtu dhe angazhimin për plotësimin e 12 pikave të BE-së. Por a mund të jetë çështja e zgjedhjes së Presidentit një tjetër pikë konflikti mes PD-PS dhe sa mund të ndikojë kjo në marrjen e statusit?
“Çështja e presidentit nuk mund të prekë çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat. Nëse Presidenti do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e vendit do të ishte një pikë më tepër në drejtimin e integrimit. Sipas Kushtetutës aktuale termi konsensual përkthehet zgjedhja me një mazhorancë të thjeshtë. Nëse do të zbatohej një konsulencë do të shtonte më shumë pikë, por dhe zgjidhja tjetër mbetet e pranueshme, çfarë nuk do të prekë statusin. Kushtetuta në 3 raundet e parë jep mundësinë për zgjedhje me shumicë të cilësuar, duke e bërë konsensual. Dhe nëse Presidenti do të jetë mbi palët kjo ka lidhje me mënyrën sesi do ta ushtrojë detyrën e tij, të respektojë Kushtetutën, duke përfaqësuar unitetin e popullit”, deklaroi ish deputeti socialist.
Sa i përket lëvizjes politike të Bamir Topit dhe përplasjes së tij me Kryeministrin e vendit, Islami tha se “shënjestrimi mes tyre mbetet debat politik”.
Ndërsa partinë e Topit, Islami e sheh si vështirë të depërtueshme në spektrin politik shqiptar, nisur nga pengesat që ofron sistemi.