Deklarata/Shqipëria, partner i fortë i SHBA
Departamenti Amerikan i Shtetit falënderon kryeministrin Berisha për mirëpritjen e muxhahedinëve iranianë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgëzuar qeverinë shqiptare për pranimin e muxhahedinëve. Departamenti Amerikan nëpërmjet një mesazhi ka shprehur mirënjohjen për për ndihmën e dhënë në strehimin e 210 muxhahedinëve që ndodhen në Irak. “Më 31 maj, tridhjetë banorë të kampit Hurriya u larguan nga Iraku me qëllim zhvendosjen e përhershme në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë qeverinë shqiptare për ofertën bujare për të pranuar deri në 210 ish-banorë të kampit Hurriya. Shqipëria vazhdon të jetë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në Irak”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e DASH. Pak ditë më parë, në Shqipëri mbërriti grupi i dytë i muxhahedinëve Me ardhjen e grupit të dytë, numri total i muxhahedinëve në vendin tonë shkon në 44-të, pasi dy javë më parë mbërritën dhe 14 personat e parë. Ardhja e grupit të dytë konfirmon zbatimin e këtij programi për strehimin e këtyre personave, të cilët gëzojnë statusin e refugjatit. Ata vijnë në Shqipëri nëpërmjet UNHCR, në përgjigje të kërkesës së qeverisë së SHBA, e cila ka në mbikëqyrje kampin Ashraf në Irak. Muxhahedinët u strehuan në qendrën e Azil Kërkuesve në Babrru.