“Rama deklaron se vendi është në Mesjetë, nuk shikon 11 mijë kilometra rrugë të shtruara”
Partia Demokratike ka deklaruar se kreu i PS po jeton në një realitet paralel
Partia demokratike ka deklaruar se kryetari i Partisë Socialiste po jeton në një realitet paralel, ndërsa Shqipëria po zhvillohet, “autobusi mavi i Edi Ramës po ecën me shpejtësi në kohë, dhe ka mbërritur këto ditë në mesjetë”. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi theksoi se, Edi Rama ka habitur edhe sallonin e tij mavi sot kur tha se Shqipëria është në mesjetë! “Në mesjetë jemi, shpalli dje Edi Rama nga Maliqi! Paradoksalisht, është në mesjetë dhe ankohet për NATO-n! A ishte Shqipëria anëtare e NATO-s në Mesjetë z.Rama? Është në Mesjetë, dhe ankohet për Bashkimin Europian!
A lëviznim të lirë e pa viza në Mesjetë z.Rama? A kishim në mesjetë 13 herë më shumë internet z.Rama? A kishim në mesjetë 10 mijë e 400 km rrugë të shtruara z.Rama?
A kishim në mesjetë 1300 shkolla të reja e të rindërtuara z.Rama?”, theksoi ajo.
Sipas zëdhënëses Vorpsi, Partia Demokratike ka investuar në Korçë dhe Maliq 25,9 Miliard Lek kundrejt vetëm 1,9 Miliard Lek , pra 13,4 herë më shumë se të gjitha qeveritë Socialiste për Maliqin dhe për Korçën. “Partia Demokratike ka rritur me së paku 2 deri në 10 herë prodhimin e fushave të Korçës duke mbështetur financiarisht 5 540 fermerë me një vlerë prej 557,3 Milion Lek. Partia Demokratike ka rritur me katër herë Sipërfaqen e tokës së vaditur dhe ka siguruar furnizimin në 24 orë me ujë të qytetarëve të Korçës. Këto janë faktet! Dhe fakt është se Edi Rama, më i çoroditur se kurrë ka humbur në kohë dhe hapësirë, dhe nuk koordinohet dot me asgjë, sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve”, përfundon ajo.