E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja/Qeveria, premio speciale për fitoren

05-06-2013 / Gazeta 55

Berisha mbështet Kombëtaren në prag të ndeshjes me Norvegjinë


Kombëtarja e Shqipërisë ka një mbështetës special për ndeshjen kundër Norvegjisë. Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me ekipin Kombëtare të futbollit përpara ndeshjes që ata do të zhvillojnë ditën e premte me skuadrën e Norvegjisë. Në këta takim ishte i pranishëm edhe Kreu i Federatës së Futbollit Armando Duka dhe trajneri i kombëtares shqiptare italiane Gianni de Biasi, i cili ka falenderuar kryeministrin Berisha për vizitën dhe mbështetjen. Ai theksoi se futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe në futboll gjithçka ndodh përsa i përket rezultatit. “Jemi të bindur se është një ndeshje shumë e vështirë, madje më e vështirë se ajo që kemi luajtur në Norvegji, por po përgatitemi për të bërë diçka të mirë për ta çuar këtë ëndërr deri në fund”, u shpreh trajneri i kombëtares Gianni de Biasi. Kreu i qeverisë ka shprehur dëshirën e tij që Kombëtarja të shkojë në Botërorin e Brazilit. Po ashtu, kryeministri Berisha ka premtuar shpërblim në rast fitoreje me Norvegjinë. “Unë ju uroj suksese dhe ju siguroj se qeveria do të ketë një premio për fitoren, sepse e meritoni plotësisht. Shpresoj dhe uroj që të fitoni, por natyrisht loja është lojë dhe sytë e shqiptarëve kudo që janë, janë në stadium dhe presin fitoren. Natyrisht gjakftohtësia është miku juaj numër një më shumë sesa emocioni. Nuk duhet kurrë që emocioni të mbizotërojë gjakftohtësinë në fushë.  Unë erdha t’ju mbështes për gjithë përfaqësimin që ju i bëni Shqipërisë, flamurit, vendit. Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë për Ligën Kombëtarë, pavarësisht se mund të mos na e pranojë federata, por ne do të përpiqemi. Futbolli është sporti më popullor dhe në këtë pikë sa më shumë aktivitete aq më mirë bëjmë”- u shpreh Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›