E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat e ulëta, politika që zhvillon biznesin dhe nxit punësimin

05-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri inauguron fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qerret – Karpen, komuna Golem të rrethit të Kavajës

Kryeministri Berisha inauguroi dje fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Qerret – Karpen, komuna Golem të rrethit të Kavajës. Duke falenderuar për mbështetje dhënë Partisë Demokratike në këto 20 vite, shefi i qeverisë garantoi se, “kjo mbështetje përbën detyrim madhor për të bërë gjithçka për të përmirësuar jetën tuaj, shërbimet tuaj dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për rritjen e mirëqenies tuaj”. Ai premtoi se krahas ndërtimit të kësaj rruge, shumë shpejt do fillojë edhe ndërtimi i ujësjellësit të ri ndërsa do të asfaltohet çdo rrugë, në çdo skaj të Qerretit, Golemit dhe Kavajës në 4 vitet që vijnë. “Zotimi ynë është se aty ku ju jetoni, do të keni infrastrukturë të njëjtë me atë të lagjeve të qyteteve. Qytetarët janë dhe do të mbeten  ë barabartë para ligjit”, deklaroi lideri i PD-së. Ai u shpreh më tej se, “këto vite, ne sëbashku ia dolëm të anëtarësohemi në NATO, të ndërtojmë një infrastrukturë moderne, të rrisim rrogat dhe pensionet, që turizmi të rritet 13-14 herë, të financojmë 45 mijë projekte në fshatrat e Shqipërisë”.
Ndërsa ripërsëriti angazhimin për krijimin e 250 mijë vende pune, Berisha tha se këtë e bazojmë në politikat tona të drejta ekonomike. “Ulja e taksave është politika që nxit dhe ndihmon biznesin, investimet e huaja u rritën me 4 miliardë e 200 milionë dollarë 4 vitet që shkuan. Eksportet shqiptare, bujqësore të të gjitha llojeve, u 3 fishuan nga 2006 deri sot”, deklaroi kreu i ekzekutivit, ndërsa u shpreh se, “ne prapë vazhdojmë me uljen e taksave”. Ai bëri të ditur se, gjatë muajit maj, janë me dhjetëra e dhjetëra biznesmenë, që kanë filluar të përfitojnë nga ligji i miratuar në parlament për heqjen e TVSH-së.
Subvencionimi me para në dorë të inputeve bujqësore, Berisha tha se, është mbështetja më e plotë që një qeveri mund tu japë fermerëve të vendit të vet. Por krahas tyre, kreu i ekzekutivit tha se integrimi i Shqipërisë në BE, bën të mundur që fermerët e Shqipërisë, të përfitojnë qindra milion euro subvencione nga BE. “Kjo është rruga e zhvillimit ndaj dhe ne ju ftojmë, që më 23 qershor, të votoni së bashku 44, votoni PD  për interesat tuaja më të rëndësishme, për zhvillimin fermave tuaja dhe zhvillimin e turizmit. Ju jap fjalën, se më këta kandidatë, do të shndërrojmë në realitet çdo projekt për fshatrat dhe komunat tuaja”, përfundoi kryeministri Berisha.
Berisha, fermerëve: Mandatin e ardhshëm do trefishohen investimet në bujqësi/Pas Golemit, kryeministri Berisha u ndal në komunën Lekaj, të Kavajës ku inauguroi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugëve Gosë e Madhe dhe Gosë e Vogël, në Kavajë, me gjatësi 3 kilometër dhe investim me vlerë 94 milionë lekë, financim i BERZH - BEI – IPA dhe qeverisë shqiptare. Ky projekt realizohet në kuadër të investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për përmirësimin e rrugëve lokale dhe dytësore dhe u vjen në ndihmë rreth 8 mijë banorë të fshatrave Gosë e Madhe, Gosë e Vogël dhe Okshtun të komunës Lekaj, të cilët do të lëvizin në kushte komode transporti drejt rrugës nacionale Kavajë- Rrogozhinë, drejt qendrës së komunës Gosë dhe, njëkohësisht, lehtësohet transporti i produkteve bujqësore dhe blegtorale për t’i tregtuar më lehtësisht në tregun e Kavajës, Rrogozhinës dhe më gjerë. Në këtë ceremoni përshëndetën edhe banorë të kësaj komune, të cilët vlerësuan këtë investim, si dhe shprehën besimin edhe mbështetjen e tyre për Kryeministrin Berisha dhe për programin e Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha premtoi për katër vitet që vijnë një përpjekje më të madhe për Gosën turistike, e cila, krahas punës së tyre në bujqësi, do të shumëfishojë tregun dhe të ardhurat për ta; trefishim të të gjitha granteve për fermat e Gosës, për ullishtat dhe vreshtat e tyre; vazhdim i rritjes së mëtejshme të pensioneve për banorët e Gosës dhe të mbarë Shqipërisë. “Mandatin e ardhshëm, trefishim i të gjitha granteve për fermat e Gosës, për ullishtat dhe vreshtat e tyre. Së treti, vazhdim i rritjes së mëtejshme të pensioneve për fermerët e Gosës dhe të mbarë Shqipërisë. Ju premtoj kthimin e TVSH-së me para në dorë për çdo makineri, mjet, input, fara dhe çdo gjë që ju do të përdorni për fermën tuaj. Premtoj rimbursimin me para në dorë të akcizës së naftës edhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e prodhimeve tuaja dhe për tregje për prodhimet tuaja”- tha ai. Berisha solli në vëmendje se propozimet e PS për heqjen e TVSH-së për 5 produktet bazë, synojnë të shkatërrojnë prodhimet e fermerëve. “Alternativa tjetër është alternativë e rrezikshme për ju. Fort e rrezikshme, sepse zotëria po premton çdo ditë heqjen e Takës së Vlerës së Shtuar (TVSH) për importet e 5 ushqimeve bazë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që gruri juaj, mishi juaj, mielli juaj, qumështi që prodhoni në fermat tuaja t’ju mbetet në dorë, sepse, natyrisht, në qoftë se heqim TVSH-në e grurit, gruri i Ukrainës, i Kanadasë, i Argjentinës del me kosto shumë herë më të ulët. Në qoftë se heqim TVSH-në për qumështin dhe mishin, sigurisht mishi i Brazilit, i Argjentinës do të bëjë të pamundur tregun e mishit në Shqipëri, sepse ai do të shitet më një çmim shumë herë më të ulët. Në qoftë se heqim TVSH-në për qumështin, kontenierët me qumësht të huaj pluhur do të vërshojnë drejt tregut tonë dhe qumështi i lopëve tuaja do të mbetet pa shitur, sepse do të konkurrojë në mënyrë të pandershme qumështi i importuar”- deklaroi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›