Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku: Partia e Topit nuk na dëmton, Oketa gaboi që u largua

Nënkryetari i Parlamentit, deputeti Ardian Turku analizon situatën politike duke kujtuar dhe njëherë zotimin e mazhorancës për përmbushjen e reformave të integrimit. Për deputetin demokrat të flitet për zgjedhjen e Presidentit, është një debat i parakohshëm, pasi sipas tij, vëmendja është te reformat. “Normalisht që reformat janë refreni i mazhorancës. Sot nuk mund të flitet për ngërç politik mes palëve, por për diskutime që duhen bërë për miratimin e ligjeve të rëndësishme për integrimin. Reformat janë primare ndaj dhe opozita duhet të maturohet me këtë fakt dhe të japë kontributin e saj në dobi të vendit”- u shpreh ai. Lidhur me garën e Presidentit, Turku thotë se nuk mund të thuhet paraprakisht nëse do të jetë kandidaturë që do të mbështetet apo jo që tani emri i Fatos Nanos, ndërsa nga ana tjetër ai shton se nga radhët e demokratëve ka shumë persona që mund të marrin këtë post. Turku komenton edhe largimin e Gazmend Oketës nga Partia Demokratike si dhe krijimin e partisë së re të Bamir Topit. Deputeti demokrat thotë se kjo parti nuk mund të dëmtojë elektoratin demokrat. “Nëse bëhet një krahasim i tillë, kurrsesi nuk mund të njihet mirë se çfarë ka qenë byroja politike. Përveç këtyre figurave që janë etiketuar se do të jenë në krye të kësaj partie, e kam të vështirë të identifikoj se kush tjetër do të bëhet pjesë e saj”- deklaroi deputeti i PD-së, njëherazi nënkryetar i Kuvendit, Ardian Turku.