E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapobanda e Lushnjes Ekstradohet Aldo Bare, akuzohet për 20 vrasje

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas 13 vjet kërkimesh vjen në pranga në aeroportin “Nënë Tereza” i shumëkërkuari Aldo Bare. Nën masa të rrepta sigurie, i lidhur këmbë e duar, kreu i Bandës së Lushnjës ka zbritur dje nga një çarter me të cilin pala turke e përcolli drejt vendit tonë. Forcat RENEA dhe makina të blinduara kanë shoqëruar deri në qelitë e burgut 313 të akuzuarin për krijim bandash të armatosura, vrasje, rrëmbim personi e dhunim varresh.

Ekstradimi

Çarteri me Alfred Shkurtin në bord u ul në orën 10:05 minuta, në Rinas, ku Bare me një makinë të blinduar është transportuar fillimisht në komisariatin e aeroportit. I konsideruar person i rrezikshëm, Bare gjatë gjithë kohës është shoqëruar nën vëmendjen e policëve, forcave të RENEA-s dhe krerëve të Policisë Shqiptare që dje kishin "pushtuar" aeroportin dhe bllokuan pak çaste punën rutinë në të. Kreu i Bandës së Lushnjës, i lidhur këmbë e duar, dhe nën vëzhgimin e oficerëve të policisë është hipur më pas në furgonin e blinduar dhe udhëtoi drejt Tiranës. Edhe autostrada Tiranë-Durrës deri në dorëzimin e Bares në burg ka qenë e blinduar nga forca të shumta policore. Autostrada u bllokua për rreth gjysmë ore.

Akuzat

Për më se një dekadë Aldo Bare ka qenë në kërkim, por masat u aktivizuan në vitin 2006, kohë në të cilën Policia e Shtetit arriti të godiste me sukses anëtaret e bandës së tij kriminale, që jetonin e vepronin në Shqipëri. Prokuroria për Krimet e Rënda formuloi akuzën ndaj drejtuesit të kësaj organizate kriminale, Aldo Bare, për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë. Arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares përbën një sukses të padiskutueshëm të Policisë Shqiptare, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente, edhe duke bashkëpunuar edhe me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara, me emrat fals Mikel Kodra, Artur Sallabanda etj. Ekstradimi dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare do të ndikojë pozitivisht për thellimin e hetimit të kësaj organizate kriminale.

Akuzat

Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen edhe:
-për vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës
- vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqipataro-maqedonas Xhevat Demiri
- të vrasjes për shkaqe të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta
- për vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës
- për vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale Klejdi Bano
- për vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit Idriz Shuli
- për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut
- për vendosjen në mars të 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë,
- për vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala
- për vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau
- disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim, për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut, të rrethit Lushnjë Bashkim Shkurti, për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.

Si e drejtonte bandën Aldo Bare

Prokuroria thotë se si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura "Bandë e Lushnjës" apo "Grupi i Alfred Shkurtit" është vrasja dhe dhunimi i kufomës të Ramadan Shkurtit, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997, në Lushnjë. Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e Tur Dajës. Pas vrasjes, Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj Dajës dhe bashkëpunëtorëve të tij, krijoi bandën. Nga veprimet hetimore rezultoi se Bare kishte një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj, organizata udhëhiqej nga interesat e Bares. Anëtarët e saj i drejtoheshin kreut të tyre me nofka të tilla, si: "I madhi", "Profesori", "Kryetari" e të tjera. Akuza thotë se disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e Bares nuk bëheshin të diskutueshëm. Ata zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e saj, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla, si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje. Në vijim të veprimtarisë kriminale, organizata është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të saj ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e sport-klub Lushnje, në bingon e qytetit e të tjera.

BANDA E LUSHNJËS

Të pandehurit
1. Enver Dondollaku
2. Erjon Cici
3. Dritan Vila
4. Maksin Çela
5. Erjon Kashari
6. Elton Mermali
7. Arben Boriçi
8. Enver Boriçi
9. Ilir Stërgu
10. Abdyl Blliku
11. Ndriçim Boriçi,
12. Rexhep Gina
13. Arben Stefa
14. Leonard Prifti, i vrarë më 3 korrik në Lushnjë
15. Petrit Liçi, i penduar
Konfliktet me viktimat

Nga të dhënat e marra, në seancë gjyqësore dhe gjatë hetimeve paraprake, ka rezultuar se asnjë prej të pandehurve, nuk ka pasur konflikte me viktimat e qytetit të Lushnjës. Edhe dëshmitarët e paraqitur në seanca të shumta, janë shprehur se kanë qenë shokë me të pandehurit dhe nuk kanë konflikt me ta. Për organin e Prokurorisë, del e provuar se të gjithë të pandehurit kanë kryer vrasje, vetëm për të zbatuar urdhrat që merrnin, në këmbim të një pagese, në disa raste edhe qesharake. Erjon Cici ka pohuar se sipas akuzës, përcillte vendimet e kreut të organizatës, tek të rekrutuarit, duke u bërë edhe krahu i djathtë i tij. Pra, Erjon Cici dhe Enver Dondollaku ishin në vijën e dytë, ndërsa në krye qëndronte Aldo Bare, për të cilin akuza ende nuk është gati për ta vënë në pranga. Asnjë vend nuk mbetej bosh në organizatë. Stërvitja sillte gjithnjë rekrutë të rinj. Pasi kapej nga policia një nga ushtarët, grupi, me urdhër të kreut, bënte zëvendësimin e tij. Në datën 5 maj 2002, policia arrestoi të pandehurin Dritan Vila, i cili ishte një killer me pagesë. Vila futet në burg, ndërkohë që grupit i duhej një tjetër person, që të kryente vrasjet. Kështu, Aldo Bare urdhëron zëvendësimin e Dritan Vilës. Pas kësaj date në lojë do të futet i pandehuri, tashmë me cilësinë e të penduarit Petrit Liçi.

Kronologjia

Gusht 1998

Aldo Bare i ka shpëtuar atentatit me antitank. Ngjarja ka ndodhur në gusht të vitit 1998. Në këtë datë është djegur banesa e Shkëlqim Haxhiut. Anëtarët e Bandës së Lushnjës, në bashkëpunim me Aldo Baren dhe Enver Dondollakun, ditën e atentatit kanë shkuar në shtëpinë e Shkëlqim Haxhiut.

Nëntor 1998

Një grindje mes viktimës Besnik Haxhiu dhe pjesëtarit të grupit të Aldo Bares, Gentian Xhaferit, edhe ky i plagosur e vdekur në vitin 1999, në Itali. Besnik Haxhiu dhe Artan Sulçe ishin duke lëvizur me automjetin tip fuoristradë nga qendra, në drejtim të fabrikës së plastmasit, Lushnjë.

25 shkurt 2000

Te "Blerimi" në Lushnjë, është goditur shefi i komisariatit, Sinan Meta. Por goditja, nuk ishte vdekjeprurëse. Pak kohë më pas oficerit të policisë, Arben Koçi, i vihet eksploziv në banesën e tij, por pa pasoja.

25 mars 2000

Në hyrje të stadiumit në Lushnjë, vihen 5 kg eksploziv. 4 kg, kanë qenë jashtë pakos dhe 1 kg, brenda pakos. Të dyja sasitë, kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ishin gati, të shpërthenin me telekomandë. Eksplozivi ishte i destinuar të shpërthente, në momentin që në stadium, do të hynte shefi i komisariatit, Sinan Meta.

14 prill 2000

Në lagjen "Xhevdet Nepravishta" në Lushnjë, vritet oficeri i Policisë Gjyqësore, Klenti Bano. Në vrasjen e Banos, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë edhe Gentian Kulla, pjesëtar i grupit, i vrarë në vitin 2002.

26 maj 2006

Arrestohet në Ankara të Turqisë kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Aldo Bare, emri i vërtetë i të cilit është Alfred Shkurti, drejtuesi i bandës kriminale të njohur me emrin e tij. Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen për vrasjen dhe dekapitimin në korrik të vitit 1997 të Artur Dajës, për vrasjen në vitin 2000 të agjentit të policisë, Klejdi Bano.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›